Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla njëherësh dhe Drejtues Politik i PS në qarkun e Elbasanit ka reaguar për ngjarjen e sotme në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona.
Balla ka i ka shprehur ngushëllimet familjes Xhuvani ndërsa ka akuzuar për ngjarjen e rëndë Partinë Demokratike.
Sipas Ballës, sot kanë ardhur në Elbasan furgona prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas.
Balla gjithashtu i ka bërë thirrje Partisë Demokratike dhe Ilir Metës që të heqin dorë nga ky përshkallëzim dhune.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Jam angazhuar qysh prej marrjes se lajmit për vrasjen makabër në mes të Elbasanit, që të kontaktoj me të gjithë organizatat socialiste të qarkut për t’u kërkuar të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e një politike provokatorësh, shpifësish, humbësish që kanë mësyre në Elbasan me skalionet e Partisë Demokratike dhe që qysh ditën e parë e shfaqën fytyrën e fushatës së tyre me provokimin skandaloz të Ditës së Verës!
Kjo ofensive tejet shqetësuese, për të cilën tanimë flet i madh e i vogël në Elbasan, ka arritur kulmin me masakrën që tashmë e di gjithë Shqipëria! Është vrarë një qytetar autokton elbasanas dhe është plagosur një punonjëse policie. Une ndjej neveri të thellë të komentoj në sot deklaratën e çmendur të drejtuesit të listës së PD! Të cilin në këtë qark e presin vetëm militantët e PD se njeri tjetër nuk ia ka ngenë ta dëgjojë, prandaj ai ka shume kohe bosh dhe çdo ditë ulet e çon letra me shpifje në SPAK për Partinë Socialiste që medemek po e pengon të takoje popullin.
Unë po ashtu nuk kam asnjë koment për dinamikën e ngjarjes dhe e falënderoj Policinë e Shtetit për reagimin e shpejtë, duke kërkuar që organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më parë ngjarjen. Ndërsa Partisë Demokratike dhe Ilir Merës i them se duhet të heqin dorë nga ky përshkallezim dhune. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit për qetësi, durim dhe besim që në 25 prill vota e tyre do të flasë pastër, qartë e prerë pëër Elbasanin e për gjithë Shqipërinë! Ngushëllime familjes së viktimes dhe Zoti u riktheftë arsyen atyre që nuk heshtën dot as përpara një xhenazeje nën këmbët e tyre.