Të Premten, India raportoi numrin më të lartë në shkallë botërore të rasteve të reja që nga fillimi i pandemisë, plot 332,730 raste pozitive. Vala e dytë e Indisë, e cila filloi në mes të marsit, ka shkatërruar komunitetet dhe spitalet në të gjithë vendin. Gjithçka është në mungesë – shtretërit e njësive të kujdesit intensiv, ilaçet, oksigjeni dhe ventilatorët. Trupat po grumbullohen në morgje dhe krematoriume. Gati 28% e të gjitha rasteve të reja në të gjithë botën gjatë javës së kaluar kanë ardhur nga India, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Me një mungesë të shtretërve në spitale dhe njësitë e kujdesit intensiv, të furnizimit me oksigjen dhe teste, sistemi i kujdesit shëndetësor në Indi është në prag kolapsi.
Qytetet në të gjithë vendin po raportojnë një numër shumë më të madh të djegies së trupave dhe varrosjeve nën protokollet e koronavirusit sesa numrat zyrtarë të vdekjeve Covid-19, sipas punonjësve të krematoriumit dhe varrezave. Shkak për këtë situatë është bërë mutacioni i njohur si varianti indian i koronavirusit. Siç dihet, viruset pësojnë mutacion vazhdimisht. Në disa raste virusi bëhet më i rrezikshëm, në rastet e tjera më i butë. Varianti aktual indian njihet si B.1.617 dhe është zbuluar për herë të parë në tetor.