Partia Socialiste mbylli fushatën për Qarkun e Tiranës, tre ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kryeministri Edi Rama tha se mandati i tretë duhet për të përfunduar punët e nisura. Thumbimet për kundërshtarët politik dhe mesazhet për elektoratin.
Partia Socialiste ka mbyllur fushatën elektorale në Qarkun e Tiranës. Ceremonia u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, ku ishin të pranishëm qindra persona. Ka qenë kandidatja e Partisë Socialiste Luljeta Bozo e cila ka çelur mbylljen e fushatës së Tiranë. Më pas kanë folur ministret Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu si dhe i deleguari i PS për Qarkun e Tiranës Erion Veliaj. Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin e tij me një histori personale. Ai tregon se pse Linda, bashkëshortja e tij nuk la të birin, Zaho të merrte pjesë në takimin përmbyllës në Tiranë. “Dua të përshëndes Zahon nga këtu, sepse donte të vinte, po Linda i tha “Zaho ti nuk mund të shkosh, se ti nuk voton’. Zaho tha ‘kur do të votoj unë’. Linda i tha “Do votosh kur të rritesh’. Zaho: Po mirë, kur të rritem, ti do më votosh mua?’”, tha Rama. Më tej, kryeministri u ndal te patrozhanistët, teksa tha se është krenarë për ta, që nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike. “Unë nuk i fola Zahos për patronazhistët, por sot këtu dua të filloj me patronazhistët, me gjithë vajzat e djemtë, gjithë gratë e burrat, dhe gjithë ata që megjithëse kanë dalë në pension, nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike brenda familjes sonë. Dua t’iu them që unë kam qenë gjithnjë krenar për ju, por mbas asaj që ndodhi dje në Elbasan, unë jam më shumë se kurrë krenar për ju”, tha Rama. Në fjalën e tij, Rama komentoi dhe ngjarjen tronditëse të Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani, duke fajësuar opozitën dhe duke iu bërë thirrje shqiptarëve, që më 25 prill të votojnë PS, pasi sipas tij, opozita do ta cojë Shqipërinë në humnerë. “Të turresh rrugëve, për t’i ndaluar njerëzit, sikur je një forcë nga ato forcat paramilitare në vende, ku thika e urrejtjes është futur deri në kockë, dhe pasi ndalon njerëz të lësh pas edhe viktima, do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde, ndërsa jashtë saj jeta e tyre nuk ka asnjë vlerë. Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të kujtojnë se cfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vjetësh po këta, të zgjohen e të kujtojnë se në cfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë, të zgjohen e të kujtohen sa herë ka pasur humbje jetësh, plagë të shkaktuara, që lidhen me ta. Më 25 prill Shqipëria duhet të clirohet nga demoni, që sa herë shfaqet në jetën tonë, ja tërheq këmbët poshtë Shqipërisë”, theksoi kryeministri Rama. Shefi i qeverisë sulmoi kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, teksa tha se ai është thjesht korrieri, që pas 25 prillit do të bëhet një figurë e shkuar, e harruar. “Lulzim Basha është korrieri, që pas 25 prillit do të bëhet figurë e shkuar, e harruar. Kam një pyetje për të gjithë ata që janë prindër: Cili prej jush është i kënaqur? Cili prej jush nuk zgjohet në mëngjes me pikëpyetjet ‘çfarë do bëj sot për familjen tim, çfarë do ndodhë sot me fëmijët e mi?’ Askush, të jesh prind do të thotë të jesh i pakënaqur. Prindërit e kënaqur nuk mund ta mbajnë familjen e bashkuar”, tha Rama. Gjatë fjalës së tij në fushatën përmbyllëse të PS në Tiranë, Rama iu bëri thirrje shqiptarëve të mos pranojnë kurrë të udhëhiqen nga dikush që pranon se është i kënaqur. “Nëse unë nuk do të isha i pakënaqur, nuk do të isha këtu sot, nëse do të isha i kënaqur e do të ndjehesha se e përmbusha detyrën time ndaj vetes, ndaj njerëzve, pse duhet të isha unë këtu sot. Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që pranon se është i kënaqur”, tha Rama.
Balluku: Patronazhistët tanë kanë kthyer në rrugë ata që e kanë humbur
Në takimin elektoral të Partisë Socialiste në kryeqytet, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku kërkoi votën e të gjithë shqipatërve për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo tha se PS ka treguar që mban premtimet, ndërsa e konsideroi forcën që përfaqëson si “patronazhistët më të mirë të Ballkanit që mund të patronizhojmë edhe ata që kanë humbur rrugën dhe e çojnë votën kot”. Ajo tha se 25 prilli do jetë ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. “Mandati i PS është për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, për të ndërtuar porte e aeroporte, kopshte e shkolla dhe shtëpinë e cdo qytetari, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë Shqipërinë, ne patronazhistët më të mirë Ballkanit që mund të patronizhojmë edhe ata që kanë humbur rrugën dhe e cojnë votën kot. Të gjithë bashkë për PS e Shqipërinë”, tha Balluku.
Veliaj: Votoni PS të përfundojmë punët që kemi nisur
Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës dhe drejtues politik i PS në këtë qark, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, u shpreh se Partia Socialiste do të dalë fituese në këto zgjedhje pasi ka bërë shumë për vendin. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos kthehen pas në kohë, por të vazhdojnë me PS dhe Edi Ramën në krye për të ardhmen e Shqipërisë. “A jeni gati që Edi Rama dhe PS të cojë punët deri në fund. Miq, të gjithë kemi parë ngjarje të shëmtuara që ndodhën këto ditë. Një mijë herë më mirë të jesh patronazhist, që i shërben njerëzve dhe jo paraliemitar, i Ilir Metës dhe Sliut që vrasin njerëz. Ne jemi bota e patronazhistëve, ata që dinë cdo hall, atyre që trokasin në cdo derë, atyre që i rrinë njerëzve pronto sepse ne jemi PS. Ka edhe një botë tjetër, është bota e paramilitarëve, është bota e atyre që bllokuan Rinasit, që të mos vinin vaksinat, xhenazet”, tha Erion Veliaj.
Majko thirrje opozitës: Eja bashkëqeverisim, mos rrini në rrugë
Pandeli Majko është i dyti pas kryeministrit Edi Rama, i cili ka ftuar pasditen e djeshme opozitën të bashkëqeverisin pas zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalimin e tij, në fushatën përmbyllëse të PS në kryeqytet, Majko tha se qeverisja e ardhshme vjen jo si një shuplakë, por si një dorë e shtrirë për bashkëpunim për të bashkëqeverisur Shqipërinë. “Ne mendojmë se Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, ndaj qeverisja e ardhshme nuk vjen si një shuplakë, por si një dorë e shtrirë për bashkëpunim, për të bashkëqeverisur Shqipërinë. Opozita duhet të dijë të kthehet brenda në sistem, boll i shëtiti rrugët, tani ka ardhur koha që së bashku t’i përvishemi punës. Ju them, na votoni, sepse do të ndryshojmë”, tha Majko.