Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, ashtu siç është deklaruar nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, do të dalë brenda 48 orëve. Kjo sepse procesi i numërimit ka vijuar me ritme të larta, ku deri më tani janë numëruar mbi 89% e votave dhe Partia Socialiste e ka të sigurt fitoren. Kjo i sjell mandatin e tretë qeverisës, duke u bërë kështu partia e parë në historinë e vendit arrin që të qeverisë për tre mandate radhazi.
Duke folur me gjuhën e shifrave, PS ka arritur që të marrë 72 mandate, duke mundësuar krijimin e qeverisë e vetme, pa pasur nevojën e krijimit të koalicioneve paszgjedhore.
PD ka njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku aktualisht ka marrë 59 ulëse në Kuvendin e ri krahasuar me 46 që ka pasur në 2017. Në këto zgjedhje, LSI përtej çdo pritshmërie të përfaqësuesve të kësaj force politike (por jo sipas sondazheve), ka arritur që të marr vetëm 6 mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. PD ka ruajtur bastionet e saj në veri me Kukësin, Lezhën, Shkodrën, dhe Dibrën edhe pse te kjo e fundit diferenca ka qenë shumë e ngushtë. Nga ana tjetër, PS ka arritur që në një pjesë të qarqeve ka arritur që të marrë objektivin maksimal, siç është në Gjirokastër.
Supriza e këtyre zgjedhjeve ishte PSD e Tom Doshit që mori deri tani 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, e megjithatë po aq suprizë ishte vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrja e mandatit me një dorëheqje të parevokueshme, teksa tha se do bëjë koalicion me PS.