Procesi zgjedhor dhe vëmendja që i është kushtuar atij, duket se ka zbehur vëmendjen nga pandemia. Edhe pse Instituti i Shëndetit Publik miratoi një protokoll anti-Covid për gjithë procesin, si gjatë ditës së votimit, por edhe gjatë procesit të numërimit, duket se ai ka qenë i pamundur për tu zbatuar.
I ftuar në “Wake Up”, epidemiologu klinik, Ilir Alimehmeti tha se pasojat e mosrespektimit të masave anti-Covid do të ndihen në javën e 3-4 të majit.
“Ka një rënie reale ta rasteve dhe kjo reflektohet edhe në shtrimet në spitale. Është një pritje që të ketë një farë efekti nga zgjedhjet. Mirëpo, duhet të marrim parasysh që edhe terrenin nuk e kemi shumë të qartë.
Një pjesë e madhe e popullatës e kanë kaluar. Por, zona rurale mund të kenë një risk më të lartë duhet të presin fundin e majit për ta kuptuar vërtetë. Java e 3-4 e majit do na tregojë më qartë këtë gjë”, tha Alimehmeti.