Ibsen Elezi: Dje nuk më lanë as të futem në oborrin e PD. Tentuan të na grisnin pankartat dhe na kapnin nga rrobat. Turp!
Ibsen Elezi jep mënyrën se si duhet të largohet Lulzim Basha nga drejtimi PD. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar i kësaj partie i bën thirrje kryetarit të këtij Këshilli, Bujar Nishani që mbështetur në statut, me një të tretën e firmave të anëtarësië të mbledhë Këshillin Kombëtar dhe të caktojë një ekip për të bërë të mundur zgjedhjet në këtë parti. I ftuar në emisonin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Ibsen Elezi tha se ky ekip do garantojë një proces që të zgjedhë të gjithë lidershipin e ri të PD.
Ndërkohë Elezi bëri publike veprimet e dhunshme dhe kërcënimet që kanë marrë mbështetësit e tij nga eksponentë të PD për të mos protestuar dhe për të penguar këtë aksion politik që ai ka ndërmarrë. Më poshtë një pjesë e bisedës me Ibsen Elezin me gazetarin Qafoku në “Dekalog”.
Zoti Elezi, a është ambicja juaj për tu bërë kryetar i PD?
Nuk e kam patur si ambicje të parë. Nuk e kam ambicje këtë aksion politik, por shqetësim edhe në 2018 edhe tani. Reagimin e këtyre ditëve për PD unë e quaj shqetësim që duhet dhe besoj se është i pjesës më të madhe të demokratëve dhe duhet të jetë edhe I gjithë shoqërisë shqiptare. Lulzim Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD për shkak të bilancit negative që ka në 8 vjet.
Zoti Elezi, ju keni nisur një aksion politik që duket që nuk jeni i vetëm, por njëkohësisht nuk duket se jeni të organizuar bashkë. Jeni të fragmentizuar dhe secili për vete. Nga ana tjetër, Basha kontrollon strukturat në parti dhe tashmë ka edhe grupin e ri parlamentar që e mbështet atë. Deklaratat e të martës në mbrëmje përpara selisë së PD e tregoi këtë. Atëherë si do ta arrini ju që presioni juaj të detyrojë Bashën të largohet?
Në presion të vendos vetëm anëtërsia. Nëse ka vullnet nga e gjithë anëtarësia për të ushtruar trysni ndaj strukurave drejtuese atëherë funksionon mekanzimi që do të thotë që kjo trysni e anëtarësisë detyron Këshillin Kombëtar të mblidhet dhe të marrë vendime. Në statut është e përcaktuar që me një të tretën e firmave ai mund të mblidhet. Prandaj Nishani duhet ta mbledhë.
Domethënë zoti Nishani në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar ka të drejtën të mbledhë Këshillin Kombëtar me një të tretën e firmave?
Po kështu është e përcaktuar. Këshilli Kombëtar është organ vendimmarrës.
Pasi mblidhet çfarë hapash ka?
Në fakt procesi i zgjedhjeve do ndodhë si sot si pas tre muajsh. Mandati i Bashës si kryetar i partisë mbaron pas tre muajsh që do të thotë që në PD do ketë zgjedhje sepse është detyrim statutor. Basha brenda muajit korrik duhet të realizojë zgjedhjet brenda partisë. Por unë them që nuk duhet të presim ne këtë vakum por ne duhet ta fillojmë që tani.
Çfarë hapash mendoni ju se duhet të ndiqen?
Në moment që mblidhet Këshilli Kombëtar ai ka atributet që të zgjedhë një ekip që të do garantojë një proces zgjedhor me figura publike. Unë nuk po them gjëra ideale por gjëra të mundshme. Figura në PD që kanë integritet ka shumë dhe që kanë vullnetin e mirë. Dhe pasi zgjidhet ky ekip, fillon procesi.
Po ne kemi një kandidaturë tashmë si Fatbardh Kadilli për kryetar të PD?
Unë nuk kam ndonjë konsideratë për Fatbardh Kadillin, por që e ka shpallur Kadilli kandidaturën çfarë të keqe ka. Unë i jap të drejtë atij. Nuk ka konsideratë për staturën e vet politike. Sepse dua një njeri më aktiv, më këmbëngulës dhe që përballet. Mua nuk më pëlqejnë njerëzit servilë. Krijimi i një grupimi të tillë do të nxjerrë një lidership të ri. Do zgjedhin kryetarin e ri dhe më vonë të gjitha strukturat drejtuese që nisin nga seksionet e deri te kuvendi i ri kombëtar.
Sa zgjat kjo si kohë, sa parashikohet?
Kjo mund të zgjasë gjashtë muaj. Sepse kjo duhet bërë me seriozitet. Prandaj e vlerësoj kandidaturën e Kadillit edhe pse kam ato rezerva. Ai jep alternativë. Po më pëlqeu mua alternativa e tij, unë mund ti jap edhe votën.
Dhe pyetja 1 milionë dollarë. Sa shanse ka që të arrihet ky aksion politik për largimin e Bashës sepse duhet thënë që shumë i vështirë duket?
Padyshim që arrihet sepse në perceptimim tim gjithë anëtarësia e PD kërkon me çdo çmim ndryshimin e të gjithë lidershipit të PD.
Mos e thuaj gjithë anëtarësia se ti nuk ke biseduar me të gjithë anëtarësinë.
Shumica padyshim.
Po si e mate këtë?
Me sondazhe. Kam edhe unë sondazhet e mia. Unë shikoj reagimin. Pas statusit tim në facebook kam marrë shumë mesazhe. Shumica më shkruanin vazhdoni dhe mos e lejoni këtë punë.
Ju thatë në një moment që na kanë penguar ata që mbështesin këtë kërkesë timen për largimin e Lulzim Bashës. Çfarë ndodhi konkretisht?
Janë tre katër raste ku persona që më mbështesin mua janë penguar. U thanë që po erdhën te selia e PD do futeni në konflikt. U thanë mos hajdeni në PD. Sot mua dhe disa mbështetës, rreth 40 persona nuk më lejuan të futen brenda oborrit të selisë së PD. Ishte një veprim aspak normal. Dolën disa persona dhe më thnë nuk do t’ju lejojmë të futeni në oborr të selisë. I thashë përse nuk më lejon. Unë dua të protesoj. Unë nuk po vi as të thyej xhamat, as të bëj sherr, as të ziehem. Nuk dua që të bëj veprime që bien ndesh me etikën. Dua të demonstroj faktin që të tregoj që jam kundër teje. Dhe këtë e kam të drejtën themelore timen. Ata nuk na lejuan.
Po çfarë konflitki mund të ndodhë?
Po sot për pak u kthye në konflikt. Na morën dhe tentuan të më grisin pankartat. Një grua bërtiste na tha qërrohuni, na kapte nga bluzat. Ishte skizofeni. Nuk e kuptoj për çfarë. Kjo është absurde. Prandaj them se duhen marrë hapa sa më të shpejtë mbështetur në struktura dhe në statut për të zgjidhur këtë situatë që po kalon PD.