Ish-presidenti Bujar Nishani ka kërkuar sërish largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike. Në emisionin “Breaking”, Nishani tha se Basha dështoi dhe është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.
Sipas Nishanit, PD ka nevojë të hapet dhe të bëhet një parti vërtetë demokratike, duke mbledhur prane vetes njerëz të cilët i bashkon ndershmëria dhe demokracia.
Nishani rrëzoi alibinë e PD se zgjedhjet u manipuluan, duke thënë se opozita humbi më 25 prill.
“Unë gjithmonë them atë që besoj, mund të mos jetë e drejtë. PD është humbëse e këtyre zgjedhjeve, i ka shkaktuar një kosto politike vendit. Arroganca e qeverisë dhe korrupsioni do të shtohen më shumë. Ka shumë element që duhen analizuar. Ka një situatë emocionale të rëndë brenda strukturave të PD. PD është në krizë dhe duhet të çlirohet nga tensioni. Unë kam eksperienca të gjata në fushatë, hapi i parë për të shtensinuar situatën e ngërçit para partisë, është marrja e përgjegjësisë politike. Është modeli europian, drejt të cilit duam të shkojmë. Jep dorëheqjen. Duhet të thotë ‘përpjekjet e mia ishin të dështura dhe të pamjaftueshme, dhe i hap rrugë një procesi politik brenda partisë’. Zgjedhja e kryetarit është dytësore, kryesore është hapja e partisë, që të kthehet në një parti demokratike. PD duhet të jetë partia e një spektri të madh njerëzit, të cilët i bashkon ndershmëria dhe demokracia.”, tha Nishani.