Nga Fernada Cenko
Fill pas akuzave që ju bënë në drejtim të tij, dhe disa politikanëve të tjerë nga përfaqësues të opozitës ka ardhur reagimi i shefit të qeverisë. Kryeministri Edi Rama mbajti qëndrim ndaj deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha i cili foli për një masakër elektorale në zgjedhjet e 25 prillit, që sipas tij kanë si autor treshen Rama-Doshi-Rakipi. Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë zbulon “strategjinë” që do ndjekë me PD-në, ndërkohë që deklaron se ftesa e tij për PD-në dhe dora e shtrirë për bashkëpunim mbetet e vlefshme. “Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!”, thekson Rama. Sipas shefit të qeverisë politika nuk duhet të mendojë për interesat e saj të ngushta por për Shqipërinë. “Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!”, shkruan Rama.
Rama pret përfaqësuesit e NATO
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe NATO gjatë takimit që pati dje në Durrës me përfaqësuesit e Alenacës së Antantikut në stërvitjen “Defender Europe 21”. Rama tha se Shqipëria do të jetë përkrahë NATO-s edhe pse nga ana numerike nuk ofron shumë. “Është realisht një kënaqësi e madhe dhe nder që të kemi kaq shumë yje të mbledhur këtu në këtë vend të vogël dhe kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe demonstrimit të kapaciteteve tona. Kjo stërvitje është një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë”, tha Rama. Ai tha se qeveria i vlerëson këto marrëdhënie si të shkëlqyera. “Gjenerata jonë erdhi deri këtu me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend. Në u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund ti ndodhë jo vetëm Shqipërisë por gjithë botës. Për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve. Të asaj bote të errët të izoluar dhe kësaj bote ku ne mund të mirëpresim me respekt miqtë dhe partnerët tanë të shumtë dhe mbi të gjitha miqtë tanë amerikanë”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë tha para përfaqësuesve se Shqipëria do i bëjë të kthehen sërish në të. “Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për të ardhur për shkak të steriotipave që e pengojnë marrëdhënien e saj me botën, por Shqipëria është një vend që kush vjen, dëshiron të kthehet përsëri. Unë kam dëshirë dhe besim që kjo do të ndodhë edhe me ju”, tha Rama. Ai tha se gjeneratës së re duhet ti përcillet fryma e demokracisë dhe amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike. “E fundit që dua të them është se besoj që ajo çka ne të gjithë duhet të mbajmë është detyrimi për ti përcjellë gjeneratave të tjera këtë amanet kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, por edhe për të ardhmen e botës që kemi zgjedhor, botës së popujve që duan të jetojnë në liri dhe demokraci, amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike për lirinë dhe demokracinë jo vetëm të Shqipërisë por gjithë botës, duke investuar bashkë që të bëjmë shumë për brezin e ri dhe ti japim brezit të ri mundësinë që të mund të edukohet qysh në krye të herës me standardet e larta ta NATO-s”, tha Rama. Qeveria jonë e ka cilësuar si një moment historic zbarkimin e këtyre trupave për tu stërvitur në Shqipëri. “Është një moment historik për ne, na mbush me krenari dhe ne do qëndrojmë krah për krah jush si një vend që ndoshta nga pikëpamje numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga vlerat ne duam të jemi më të denjë dhe më të vyer brenda kësaj aleance”, u shpreh kryeministri.