10 ditë pas zgjdhjeve të parlamentare, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka mbërritur në Tiranë. Ai ka lënë mesazh për politikën shqiptare, ndërsa ka sjellë edhe një sasi të dozave Pfizer
Nga Fernada Cenko
Ka zbritur dje në aeroportin “Nënë Tereza” Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku është pritur nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Komisioneri ka sjellë edhe një sasi dozash vaksinash Pfizer kundër koronaviruesit. Së bashku me Kryeministrin Edi Rama ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp nga ky aeroport. Oliver Varhelyi komentoi në fillim të fjalës së vete zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe kontestimet e opozitës. Sipas komisionerit të BE-së, procesi zgjedhor tashmë ka hyrë në fazën e ankimimit dhe tashmë duhen rezultate të qarta sa më shpejt për të mundësuar çuarjen para të procesit të integrimit. “Ne kemi një ambasador të mirë në Shqipëri. E ndjek të gjithë punën e tij dhe jemi në kontakt. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, e kam ndjekur me vëmendje gjithçka. Gjëja që na nevojitet janë rezultatet e qarta përfundimtare. Duam të shohim të gjitha parregullsitë qoftë dhe blerjen e mundshme të votave. Pas rezultateve do të na duhet që Kuvendi të fillojë nga puna shumë shpejt për reformat e BE-së”, është shprehur komisioneri. Ai ka vënë theksin tek prezaneca e opozitës në Parlament. Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka dhënë një mesazh të qartë se Shqipëria pa një parlament të ri të plotë nuk ka për të ecur drejt BE. Varhelyi thotë se pret që Kuvendi i ri të fillojë nga puna, por më parë duhet pritur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 25 prilli pas procesit të apelimeve. “Pa kuvendin e plotë nuk mund të ecet përpara drejt BE-së. Nëse do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, puna duhet të përshpejtohet jo vetëm nga qeveria, por dhe nga Kuvendi. Po presim procesin e apelimit dhe shpresoj që Shqipëria të ecë përpara”, tha komisioneri për Zgjerim. Sipas tij, Shqipëria ka ende punë për të bërë në rrugëtimin drejt BE.
Vaksinat
Komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi u ndal tek pandemia e COVID-19 dhe ndihma që BE ka ofruar për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e Shqipërinë në veçanti. Ai tha se në Shqipëri falë Bashkimit Evropian dhe ndihmës së shtetit austriak, kanë mbërritur 145 mijë vaksina të Pfizer. “Shpresojmë që me këto vaksina të siguroni grupet më të cënueshme. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të Pfizer, jo vetëm që po i sjell BE, janë 100% të financuara nga BE. Këto janë dhurim, janë një dhuratë për ju nga ana jonë. Për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Një gjë që dua ta bëj të qartë, është që nuk do ta bënim këtë gjë pa qeverinë austriake, të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm për këtë gjë”, u shpreh komisionerit. Ai tha se ardhja e vaksinave nga Bashkimi Europian kanë ardhur në një moment kyç për vendin. “Jam i kënaqur që kemi arritur në fundin e këtij procesi që më ka sjellë këtu me vaksinat. Nuk ka qenë e lehtë, por mendoj që po vijmë këtu në momentin e duhur, në një moment kyç, në një moment kur duhet të dalim nga kjo pandemi dhe dalja nga pandemia është gjë e mirë nëse promovojmë vaksinat dhe i shpërndajnë ato. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksinat dhe të bëhet vaksinimi”, tha Komisioneri për Zgjerim. Varhelyi tha se BE e ka ndihmuar Shqipërinë që në fillimin e pandemisë. “Në momente të caktuara me maska, ambulanca, njësi të reaminacionin, përmirësimin e spitaleve dhe ndihma për buxhetin e shtetit. Ne jemi të interesuar tek siguria dhe shëndeti i fortë i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Varhelyi.
Basha takohet me Varhelyi: Procesi zgjdhor është manipuluar
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka takuar në një mebinet tjetër të aeroportit Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi. Basha i ka parashtruar shqetësimin për manipulimin e votave në zgjedhjet e 25 prillit. Zyra e shtypit të PD, thotë se Basha e njohu komisionierin me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe përdorimin e legalizimeve për vota.
“Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkëpunim nga persona qe janë nen hetim për bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS”, thuhet në njoftimin e PD. Më tej, Lulzim, Basha bëri të ditur se PD dhe kandidatët e saj kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka patur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve. “Policia e shtetit në shume raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve. Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri”, thuhet në njoftim. Kreu i PD e falenderoi Varhelyi dhe Komisionin Europian per sasinë e vaksinave që BE i ka dhënë Shqipërisë si dhe për mbështetjen financiare për të lehtësuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore.
A u takuan Rama dhe Basha? PD: Gënjeshtër për të mbuluar vjedhjen e votave
U krijua perceptimi në media se mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama pati një takim në mjediset e aeroportit të “Nënën Terezës”. E ndërsa nga partia Socialiste as u mohua, e as u pohua, nga Partia Demoktarike ka ardhur një reagim. Partia Demokratike thotë se nuk ka pasur asnjë takim Basha-Rama, dhe kjo është një gënjeshtër për të mbuluar vjedhjen e votave. “Nuk ka patur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, thuhet në një deklaratë të shkurtër për mediat nga selia blu. Kreu i qeverisë Rama gjatë konferencës së përbashkët për media me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se dora e mazhorancës do vazhdojë të mbetet e shtrirë për opozitën, duke u shprehur se është gati për bashkëpunim pa kushte me PD-në. Sjellim në vëmendje që gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit Basha ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes me PS-në. Gjatë takimit të mbajtur sot me Komisionerin e BE, kryedemokrati ngriti shqetësimin për manipulimin e votave në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama i vendosur para Varhelyi: PD është e mirëpritur
Kryeministri Edi Rama është dnalur në disa çështje kyçë për Shqipërinë gjatë komunikimit që pati me Komisionerin për Zgjerim. Ai i ka shtrirë PD dorën, ndërsa ka vlerësuar ndihmën e BE për vaskinat dhe tërmetin
Kryeministri Edi Rama ka pritur në aeroportin “Nënë Tereza” nga ku ka mbajtur edhe konferencën për shtyp të përbashkët me Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi. Kryeministri Rama është ndalur në disa çështje të rëndësishme për vendin tonë. Së pari ai ka shprehur mirënjohje për planin e rimëklëmbjes së Shqipërisë nga tërmeti por edhe për pandeminë. Rama falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen që po i jep vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, sa i përket procesit të vaksinimit, pas miratimit të një pakete prej 2,2 miliardë eurosh për rajonin. “Dua t’i shpreh mirënjohjen dhe ta falënderoj publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë absolutisht të jashtëzakonshme dhe nga ana tjetër dua të nënvizoj faktin se falë komisionerit, KE u rikthye si motor i solidaritetit, jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve europiane, përfshirë në këtë rast, 6 vendet e rajonit tonë”. Disa herë, kryeministri ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Bashkimit Europian për lënien jashtë të Ballkanit Perëndimor nga procesi i vaksinimit. Kryeministri shtoi gjithashtu se deri në gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e dakorduar të vaksinave.
Bashkëpunimi me PD
Në konferencën e përbashkët, Rama tha se është i hapur për diskutim me PD, pa asnjë kusht. Ndër të tjera Kreu i Qeverisë u shpreh se mandati i tretë nuk do t’i ngjajë dy të parave, sa i takon aspektit politik. “Dua të përsëris që bindja dhe vullneti im është që mandate i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS do ta braktisë llogoren e asaj luftë të vjetër bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin dhe sa më takon ne do të fokusohemi plotësisht tek punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do ta mbajmë dorën të shtrirë pa asnjë ndërprere për PD”, tha Rama. Sipas tij, PD është e mirëpritur kur do dhe si do. “PD është e mirëpritur kurdoqoftë dhe sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë për të hapur një proces diskutimi pa asnjë kusht për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe pa tjetër edhe integrimin evropian të Shqipërisë. Me ndihmën tuaj do të jem edhe unë në gjendje që të qëndroj larg nga polemikat e lodhshme, të vjetra mes partive, për partitë dhe me partitë. Shqipëria është në një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër, mandatin e kemi marrë për ta ngjitur në majë dhe gjithë energjia ime dhe koha ime do të jetë në këtë drejtim”, tha Rama.
Turizmi
Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë se nuk do të ketë asnjë pengesë apo kusht për të gjithë turistët që duan të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet e qeverisë. “Shqipëria nuk do vendosë kushte apo pengesa për ata që duan të vijnë për një sezon turistik që duhet të jetë shumë më i lehtë nga i shkuari. Me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e prenotimeve dhe të kërkesave që rriten nga vendet e tjera për të ardhur në Shqipëri për pushime. Ne jemi sot në një pozicion të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike. Do të vijojmë vaksiniminin. Tani objektivi është 1 milion të vaksinuar dhe puna po vijon intensivisht që Shqipëria të buzëqeshë. Duam që kapaciteti i Shqipërisë me turizimin të përdoret sa më shumë këtë vit”, tha Rama.
Vaksinimi
Kryeministri Edi Rama tha se vendi ynë është më mirë se vendet e rajonit sa i takon vaksinimit dhe epidemiologjisë. “Ne sot jemi në një pozicion të admirueshëm për nga pikëpamja epidemiologjike dhe e vaksinimit. Realizuam objektivin e vaksinimit. Tani objektivi është 1 mln. Puna vazhdon në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë nga ky makth i gjatë. Kapaciteti që ka të bëje me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe totalisht vitin e ardhshëm”, tha kryeministri. Kreu i qeverisë tha gjatë konferencës me komisionerin Varhelyi se procesi i vaksinimit po vijon me shpejtësi për të kapur objektivin e radhës, atë të 1 milion personave të vaksinuar. Rama u shpreh se vendi ynë ndodhet në nje situatë të mirë sa i takon vaksinimit, pasi është arritur brenda afatit vaksinimi i 500 mijë qytetarëve. Ai deklaroi se objektivi është që tani të vaksinohen 1 mln qytetarë.
Shengeni
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Komisionerin për Zgjerimin, kryeministri Edi Rama foli edhe për Shengenin rajonal, një nismë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët. “Shengeni rajonal është projekt i mbështetut nga BE-ja, dhe komisioneri Varhelyi është kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve, kështu që ka kaq shumë mundësi saqë është e kotë të humbasim kohë duke prodhuar histori që nuk na çojnë asgjëkundi. Konfliktet joproduktive na kanë lënë mbrapa. Fatkeqësisht artin e sajimit të tyre e kemi realisht një art për të cilin nuk na konkurron askush. Duhet të europianizohemi dhe nuk duhet të riballkanizohemi, ndërkohë që jemi në mes të rrugës midis ballkanizimit dhe europianizimit. Konfliktet duan kohën e tyre për t’u zgjidhur”, tha Rama.