Nga Fernada Cenko
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me 94 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Illir Meta. Tashmë kreut të shtetit po i rrezikohet posti, edhe pse pas Parlamentit, është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë për fatin e Metës.
Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Çka do të thotë se Brenda muajit qershor, komisioni hetimor e dërgon për votim në Parlament. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Kuvendit. Komisioni i Ligjeve nisi më herët shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Socialistët, siç u shprehën në komision, janë të mendimit se Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”. Sipas deputetes socialiste Vasilika Hysi, e cila prezantoi nismën para anëtarëve të Komisionit “Presidenti i Republikës në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet, madje e ka dëmtuar atë”.
Hysi tha se para dhe pas fushatës, madje edhe në heshtjen zgjedhore ka mbajtur deklarata të rëndë me gjuhë urrejtje. “Meta para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak”, tha Hysi.
Komisioni letër Metës
Komisioni i kishte dërguar një shkresë kreut të shtetit ku e njoftonte për mbledhjen. Por në përgjigjen e saj, Presidenca vëren se njoftimi, “nuk jep asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgohet, apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës, qoftë dhe referuar kërkesave proceduriale të detyrueshme për respektim nga ana e Komisionit të Ligjeve sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”. Në përgjigjen e tij, Meta thekson se “e gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qenë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet”. Duke folur për “përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim”, Meta shprehet se ky institucion “ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht. Kjo përpjekje e radhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj. Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak – vijon më tej presidenti Meta duke e rënduar dozën e akuzave – është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e radhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës, dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”.
Kush votoi kundër dhe kush abstenoi
Me 97 vota pro dhe 6 kundër deputetët miratuan ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Por kush janë deputetët që votuan kundër ngritjes së komisionit? 6 deputetë të opozitës parlamentare kanë votuar kundër, disa prej tyre kandidatë dhe në zgjedhjet e 25 prillit.
Elda Hoti kundër
Artur Roshi kundër
Lefter Maliqi kundër
Kujtim Gjuzi kundër
Fatjona Dhimitri kundër
Adriatik Alimadhi kundër
Ralf Gjoni abstenim