“Kam qenë me fat që të kam takuar, shumë me fat që më ke dashur, edhe më me fat që ke qenë nëna e fëmijës tim. Lydia do të rritet pa nënën e saj të mrekullueshme, por Caroline, e cila ishte gëzimi i jetës, do të jetë me mua përgjithmonë përmes Lydia …”
Me këto fjali, 32-vjeçari grek i dha lamtumirën bashkëshortes së tij 20-vjeçares Caroline e cila u vra në mënyrë makabre në shtëpinë e tyre nga grabitësit.
Babis Anagnostopoulos preku të gjithë me fjalët e tij gjatë ceremonisë mortore të 20-vjeçares e cila u varros në Alonissos. Ai mbërriti me helikopterin e kompanisë ku punon sot për t’i dhënë lamtumirën bashkëshortes, ndërsa në krah mbante foshnjën e tyre 11-muajshe.
Nëna e 20-vjeçares, Susan shoqëroi trupin e viktimës nga Athina në Alonissos, ndërsa i ati i cili vuan nga probleme shëndetësore, nuk mundi të jetë prezent. Në ceremoninë mortore gjithashtu morën pjesë të afërm dhe miq të viktimës.