Kryesia e Partisë Demokratike vendosi dje që të shkohet në zgjedhje për kryetar, të cilat do të mbahen më 13 qershor. Basha nuk jep dorëheqjen dhe nga kundërshtarët politik brenda PD-së konsiderohen si zgjedhje farsë. Afrimi i datës së zgjedhjeve si taktikë e Bashës për të sfumuar rivalët.
Nga Fernada Cenko
Partia Demokratike do të shkojë më 13 qershor në zgjedhje për kryetarin e Partisë Demokratike. Edhe pse ishin parashikuar që zgjedhjet të bëheshin në korrik, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar ka rënë dakord që ato të mbahen më 13 qershor 2021. Zgjedhjet do të mbahen edhe pse Lulzim Basha ende nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi i ka propozuar Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar mbajtjen e zgjedhjeve në 13 qershor, sipas parimit “një anëtar një votë”. Bardhi ka deklaruar se procesi hapet në 16 maj dhe vijon deri në 22 maj, ndërsa në datën 23 maj paraqiten kandidaturat. Fushata për lidershipin e selisë blu zgjat deri në 11 qershor, ndërsa në 13 qershor anëtarët demokratë u drejtohen kutive për zgjedhjen e kreut të partisë. “Të analizojmë punën e secilit në një mbledhje të veçantë në kryesi dhe më pas në çdo qendër votimi. Në këtë parti nuk ka asnjë njeri të padobishëm. I propozoj kryesisë fillimisht procesin zgjedhor për kryetar të PD. Secili prej anëtarëve të kryesisë që ka shpallur ambicien të ketë mundësinë ta shpjegojë vizionin e tij në institucione, pa paragjykuar askënd, një garë të drejtë e të barabartë, ku demokratët të gjykojnë lidershipin aktual dhe 16-22 paraqitja e kërkesës për kandidim nga ata që përmbushin kriteret. 24 maj-11 qershor fushatë në të gjitha strukturat. 13 qershor, zgjedhjet sipas parimit “një anëtar, një votë””, ka kërkuar Bardhi.