Një ngjarje e rëndë raportohet në Majemi të Shteteve të Bashkuara ku të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë.
Policia amerikane bën me dije se një person ka hapur zjarr në një festë diplomimi që po mbahej në një restorant në Kendall. Sipas të dhënave paraprake, tre persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Gjashtë të plagosurit arritën të largohen nga vendngjarja me makinat e tyre dhe po trajtohen në spital. Ndërsa një makinë u përplas me murin e kampusit gjatë largimit nga skena e krimit. Dy viktima ndodheshin brenda kësaj makine ku u gjetën dhe armë. Por është e paqartë nëse ata janë autorët e ngjarjes së rëndë.
“Kjo duhet të marrë fund, dhuna duhet të ndalojë! Po humbasim njerëz dhe po shkatërrohen familje për shkak të krimeve pa kuptim”, tha drejtori i policisë së Majemit, Freddy Ramirez.