Nga Pirro Loli
Prolog
Kjo poemë, e vetmja në krijimtarinë time, nuk ka datë fillimi. Dhe, me sa shoh, nuk do të ketë as fund. Ajo është shkruar fillimisht në mendje, e pse jo, para se të lindja. Motiv pas motivi, si lëndë e munguar ekzistenciale. Kish filluar nga Çajupi dhe nga e gjithë elita e zagoritëve që “shkruanin” pjesën e tyre tek unë. Ishte e gjithë dinastia e dilenje me në krye profesorin e madh, Ilia Dilo Sheperin, dënuar me vdekje nga shovinizmi grek; ishin haritenjtë, dera e bëmave dhe e ngjarjeve të mëdha me në krye Mihalin Hariton e Janinës e të Prizrenit, Petron, Dhiogjenin… deputetë, shkencëtarë e avokatë si Gjergji Çako që tononin politika të mëdha; ishte Aristidh Rruci, beu sqimatar sheperjot, firmëtari i Pavarësisë, ai që iu bë krah Ismail Qemalit, dëshmitar okular i masakrave greke dhe i ndarjes fatale; ishin dhjetëra e qindra kuadro zagorite nga të gjitha fshatrat e saj brenda dhe jashtë atdheut, ndoshta dhe ata, të gjithë kanë shkruar pjesën e tyre si zëdhënës të intelektit zagorit mbarë popullor; kush më pak e kush më shumë, të gjithë anti kompleksit shovinist të “Vorio-Epirit”. Të gjithë në një mendje. Dhe nuk kishin as regjisorë as shtet që t’i drejtonte, por kishin një udhëzues më të fuqishëm, gjakun e shqiptarit, ADN-në e patriotizmit më të kulluar të shqiptarizmit, fqinjësisë së mirë, lirisë dhe drejtësisë shoqërore. Mua më ra radha të shprehem në vargje;
E kam pritur heshtjen,
por nuk ma tha të vërtetën;
* * *
Kompleksi anti historiko gjeografik i të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, ashtu, falsifikuar nga politika “megaloideiste” greke (rreth vitit 1840) si kolonizim i pastër mesjetar, ashtu miratuar e ligjëruar me vulat e diplomacisë më perverse të fuqive të mëdha; është turp i Evropës, thikë në shpinë nga fqinjët tanë shekullorë dhe një tragjedi kombëtare me shumë akte. Po unë nuk di të shkruaj tragjedi. Nuk dua të ringjall Eskilin, as gjakun ta laj me gjak, nuk pres të vërsulet një ditë Shën Gjergji me kalin e bardhë, të gozhdojë me heshtë dragoin fajtor; Jo, jo, unë nuk di të shkruaj tragjedi, anipse trojet e saj gjatë e gjerë të përgjakura, thellë e më thellë arrijnë deri te rrënjët… Ato janë projektuar në Moskë, Beograd e Athinë dhe lulëzuan në mugëtirën mjegullore të Londrës (1913) ku skelete duarsh makbethiane ulën perdet e rënda, fikën qirinj e llambadarë dhe me fytyrat e errëta për rreth, trupin tim e ndanë si kokrrën e pjeshkës në një pjatë të zezë. Sllavët e jugut, fqinjët tanë , rreth 1300 vjeçarë, buzëpërdredhurit historikë të Serbisë e Malit të Zi mbetën të kënaqur me gllabërimin e trojeve të Kosovës e Metohisë. Greqia në bashkëjetesë mijëra vjeçare, e pabesa historike, pasi më rrëmbeu trojet më vitale, pasi zbatoi genocidin gjakësor kundër popullsisë çame, disi “e pakënaqur”, me atë cinizëmin bizantin tha: Vorio -Epirin ose gjysmën tjetër do ta marr më vonë, më vonë do t’u marr dhe të vdekurit dhe qetë-qetë me ta do vinë tek unë malet dhe luginat, veshjet, fustanellat, këngët dhe çatitë e shtëpive dhe bari dhe burimet; në mos, andej do kalojë cerberi dhe zjarrin do ta ndez nga barku i kalit si në Trojë. (Është për t’u habitur që dhe sot e kësaj dite, pas më se 100 vjetësh nga fqinjët tanë të lashtë (organizma terroriste), vinë zëra e shigjeta plot helm kundër nesh).
* * *
Do t’i fryj hirit, të ndez zjarrin e fikur. Atje nata vajton mbi pyje por, unë do kthehem ku dergjen kujtimet e pavarrosura. Atje ku hithrat e kujtimeve të hidhura rriten pas derës, atje ku kishat e moçme dhe muret e shtëpive vezullojnë nga myshku, atje ku nëpër ugarin e butë digjet portokalli si diell…
I vonuar jam si i ngritur nga varri
Zemra më përplaset nëpër brinjë. Dua të vrapoj.
Ka shekuj që më presin të vdekurit e mi,
Të patretur, shtrirë pingul mes përmes gadishullit
Veri – Jug.
Në shpirtin tim kanë heshtur gjatë mijëra violina që mund të vajtonin nëpër balada e nekrologji popullore,
Por, askush nuk mund të ma ndali trëndafilin e fjalës
As gjethin e lotit tim të këndojë.
Çamëria e dhjetëra qytete e fshatra të nxjerrë nga rrënjët e tyre të lashta, masakruar nga tortura bizantine me djepe e me varre;
Dhe ata, arvanitët, të heshtur në gurë, gdhendur në varre shekullore dhe mermerë…; Atyre të urtëve majë Olimpit në emra perëndish, me gjuhën e tyre, më e lashta e kontinentit, u vure heshtjen mbi pllakën e varrit e “pandehe” se i përpiu deti e i hëngri mali;
Ata malit i dhanë majë,
Ata detit i dhanë dallgë.
Unë qesh dhe qaj se e di kodin tim gjenetik, e di ADN-në e Aleksandrit, të Pirros të Gjergjit, të Nënë Terezës…, e di dhe se si ju po i thyeni vertebrat e eposit të lashtë, e di si rrukullisen brigjeve orteqe e rënkojnë, e thyhen shtëpi, pemë, balada, tinguj.
Epiri, pasthirrmë e vonuar! Kambanë memece qindra vjeçare çahu, thërmohu ulëri, zgjohu kufomë e ngrirë në bronc…
Nuk hedh dot një valle çame, s’ia them dot me fyell
Nuk qaj dot si zog….
O qiell, o qiell i kaltër, më i kthjellti në botë, lësho një vetëtimë mbi mua, o të më djegë të tërin, o kthema fustanellën në valle…t’ia marr asaj këngës me oii…i, që më gërmon në zemër…
“Çish të ikim nga shtëpia?
Çish t’i lëm gjushrit në varre,
me kurmet pa tretur fare?…”
Oiiii, oiii!!”
Mbushur deti i urrejtjes me kripë dhe oktapodë të ngordhur. Nacionalizmi grek zverdh si nikotinë për çdo president e qeveri
Kishat si dhoma parlamenti, lot të ftohtë derdh një qiri.
…Ëndrrat në diell e në hënë
të frikshme, shekullore…
Nëpër këmbë më pleksen shpirtrat e pistë, shpifje, mashtrime sharje, shantazhe zhurmojnë dallgë dallgë, aty tërhiqen aty shpërthejnë e shpërndahen shkumë shkumë…
Zhurma që nuk arrijnë te heshtja, shpresa për të mbetur shpresëhumbur;
Sa flakë për të djegur gurët e themeleve dhe ullinjtë e shenjtë rritur në kopshtin e Edenit; sa orë pa akrepa, sa stinë pa diell.
Ëndrra dhe plane muzgu në budrume pseudo priftërinjsh
Që nxijnë si nata
* * *
Unë jam me Elitin, vëlla, me Jorgo Seferin
jam gjak i De Radës, Naimit e Çajupit. “Ne nga Homeri rrjedhim të gjithë” – Poshtë leshit të deshëve që kullufiste Polifmi, do të dilnin nga shpella të gjithë poetët e botës – Por unë jam teli i këputur i violinës buzë muzgut larguar brigjeve të mia. Ku jargavanët vrapojnë si kuajt.
Në këtë botë që gjithnjë ngushtohet, secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Duhet ta kërkojmë njeriun, gjithkund ku mund të jetë – Po, faleminderit, Jorgo Seferi, faleminderit, poet!… Por, dëgjo dhe mua, nuk e kapërcej dot ngërçin që më mbetet në fyt, kur murgjit, e tu që atëherë, kur dhe historia nuk i mban mend, mohuan e shtrembëruan gjithçka pellazgjike e iliriane, shpërfillën qindra historianë profetë e poetë grekë e latinë; kur katundarët miopë të Athinës së re, ma vënë në dyshim origjinën, gjuhën, kulturën, universitetin, akademinë, këngën, fustanellën e vallen, të vdekurit e mëdhenj, historinë dhe kombin. Është e frikshme kjo, vëlla, e frikshme siç mund të jetë dhe ksenofobia ime, por, të parët tanë që kanë ndriçuar dhe mendjet e botës, na thanë se njeriu që kalon masën, duhet të ndëshkohet (Herakliti) – “as dielli nuk e kalon masën, ndryshe ndërhyjnë erinitë, zbatuese të së drejtës…”
***
Unë jam kambanë e kristaltë, kam zërin tim modest
Mos ma ndaloni lotin e dashurisë,
Me dhimbje, vërtet por, po trokas me grusht në portat e erinive:
S’ka miq në honet e vajtimit. S’ka ura në pellgjet e gjakut.
S’ka pëllumba në shpellat e krimit. Dy anët e urës së lashtë, Dy skaje dhimbjeje kanë ngrirë në erë.
Në Epir karafili nuk shkrep më.
Drizat çelën para agut
Rrugët janë prerë.
…Është e pikëlluar dora ime në supin tënd, vëlla, Mos prit të lulëzojnë bajamet. Jargavanët nuk do t’i ndezë deti. Mermerët nuk do shkëlqejnë në diell. Dhe deti nuk do marrë frymë.
As fustanella ime nuk valëzon si duhet në trup të huaj. Le të zbardhë agu i ftohtë i agimit, me atë borinën mbi shelgje. Në kryqëzimin e erës, mbi Epir është varur Kutia e Pandorës…( shih si varet e lëkundet në ajër)
Copëtuar, Çarë E shtypur nga të gjitha anët…
…E braktisa vetveten: Unë, politikani “modern” si lepur me bark të bardhë jam përkulur, jam fshehur në ferrë kam buzëqeshur nga frika. Jam blerë e jam shitur kam heshtur, kur odave të Brukselit dhe të OKB-së si ujk i plagosur duhet të ulërija.
Po sot jehon një zë tej shkëmbit tej gjumit e barit
Kontinenti po lëviz qepallat nëpër paragrafe
Po bije dylli nga timpani i veshit
Po vjen në vend bebja e syrit por,
Tek ty është i frikshëm pylli ku nuk lëviz asnjë gjeth, asnjë vijë uji. Asnjë p. Asnjë zog.
Çdo trup me hapësirë kufizohet. Asgjë nuk do ndryshojë
Veç në kodrat e urrejtjes akulli do të shkrijë
në zyrat e doganës dhe në liqenin e Janinës
Me të qeshur do na presë e përcjellë dashnorja e pashait
Dhe fërshëllima e vjeshtës.
Ka shumë trëndafila dhe pëllumba në shesin “Sintagma”
I kam parë nga afër si shpërthejnë e tjetërsohen në gjarpërinj sapo kapërcejnë pragun e parlamentit. Si nxihen puplat e pëllumbit
Dhe pulëbardhat e anëdetit që hidhen pupthi shkallëve të kushtetutës Dhe glasat i hedhin mbi paçavuren tënde, ligjin e luftës.
… Pasthirrm ime shpon mesin e qiellit të grabitur
Te kërthiza e prerë, te pika e lotit të trazuar,
Tek e shenjta e njohur, klithmë e bardhë pulëbardhe
që baticën e shtyn më tej.
Unë jam Kosova dhe Çamëria
Unë jam palca e Epirit të lashtë.
Andej ku bleta thith sumbullat e gjirit
Andej ku pikon nektari nga hojet e arta
E trupi i mandarinës mbushet me mornica.
Atje lart te burimet e ftohta, shtëpia ime buzë liqenit të Janinës
Përjetësisht derëhapur për pulëbardhat që kur është krijuar bota.
Nën vete në oborrin e shtëpisë flenë eshtrat e stërgjyshërve
Që nga koha e bronzit
Dhe trupi i një djaloshi 12 vjeçar
që u vra kokulur tek mbillte ullinj me të atin
dy plumba iu shkrinë në shpatull…
* * *
Një hije, ndoshta, pasthirrma ime, Një akrep ore në fushën e diellit. Një anije me vela në syprinën e ujit që drithërohet nga era ..Drejt atij bregu ku më presin hyjnitë.
Pasthirrma ime rikthim te vetvetja
Përmes një lumi të turbullt.
Hap sytë në errësirën e natës mbushur me mullarë të zinj
Ulërij në boshllëk. Qenkam gjallë. Buzë më buzë me një dhimbje therëse 100 vjeçare, Të një plage që rrjedh gjak të freskët,
gjak të kulluar…Banoj pranë parlamentit tuaj
Ku ushtarët ndërrojnë turnet me shpatë në dorë
E fustanellën time veshur…
Shpirti im plot batica e zbatica, uturin
i errët si toka, gjëmon thellë – thellë si deti.
Mbrujtur plot me vese e virtyte
shkrirë tek unë poeti dhe profeti
por dhe djalli dhe i biri që nuk qenka e lehtë
t’i nxjerrësh nga vetja…
Po u drejtohem gjetheve dhe zogjve dhe poeteve:
Gjethet gjethuan
Dhe psherëtinë
Zogjtë e gëzuar mbi degën e prillit
u puthën në buzë…
Poetët,
nuk e di pse varën kokën të trishtuar.
Me ritmet dhe rimat e tyre në të dyja gjuhët
ramë dakord të heshtnim në një paanshmëri të thellë,
Sy ulur, të turpëruar që akoma nuk e kemi vrarë veten.
Sidoqoftë unë vetëm me gjethet, zogjtë dhe poetët
Mund të arrij te stacioni i kërkuar.
Poetët i njohin këngët e njëri-tjetrit
Trillet e zogjve
Kopenë e deleve të Epirit që i hëngri ujku
Dhe fluturimin e fajkoit.
Një dorë poetësh jemi, Homeri, Eskili, Naimi, Eliti…
Në suferinat e detit para nesh
me duart e shtrënguara në tëmtha na prin
Jorgo Seferi me një grup marinarësh të mbytur. Atje ku janë çelur ishujt
dhe deti është mbushur me të vdekur,
prej dore më merr Eliti dhe më tregon me gisht
se bisha ulërin ndër pisha
e thika vetëtimash e presin detin thela-thela…
Në dhomat e të urtëve qiri i përjetshëm
digjet Kostandin Kavafi. Nuk kemi as vota as paragrafë për njëri-tjetrin. Unë dhe ata statuja të heshtura mermeri
të ftohta me fajin e paanshmërisë së thellë.
Nga pala ime është Homeri. Dhe De Rada.
Dhe Naimi zëëmbël tek këndon
“O alithis pothos ton alvanon”. Ende
s’qenka zbutur mëria e Akilit?!
Ndruhet Seferi të hedhë hapa më tej:
Kudo që ecën shkel nëpër plagë…
” O mendje e shkundur, o Athinë,
o pyll i vjetër, plot me miq të vrarë…