PD e përçarë
Paralajmërimi për zgjedhjen e Këshillit të Ri Kombëtar në Partinë Demokratike kundërshtohet nga Bujar Nishani. Kreu aktual i këtij forumi të lartë drejtues thotë se forma që është parashikuar për procesin e analizës bie në kundërshtim me statutin e PD. “Lulzim Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohshme për institucionet drejtuese të Partisë”, u shpreh Nishani, kryetari i i Këshillit Kombëtar në PD. Edhe pse pranon se përgjegjësia për humbjen në 25 prill nuk është vetëm e kryetarit përsëri ai thekson se Lulzim Basha është penguesi kryesor në ringritjen e PD. “Përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e Lulzim Bashës por më e para dhe më kryesorja është e tij. Por, Lulzim Basha sot po bllokon e pengon reflektimin, korigjimin dhe ndryshimin rrënjësor të PD, jo vetëm si një parti kryesore e sistemit tonë politik por më së shumti si alternativë qeverisëse në një demokraci funksionale”, u shpreh Nishani. Zgjidhja e vetme për këtë ngërç në të cilin po kalon partia më e madhe në opozitë, sipas Nishanit, është ndryshimi i kursit të ndjekur deri tani duke zgjedhur një lider që është i aftë të fitojë jo vetëm besimin e dmeokratëve por të gjithë qytetarëve shqiptarë. Deklaratat e Nishanit vijnë jo vetëm pasi Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të partisë, por ndërkohë futi në proces analize dhe zgjedhjesh dhe struktura të tjera në PD.
Ndërsa ne një reagim tjetër ne faqen e “Facebook”, Nishani i ka bërë një analizë Partisë Demokratike si gjatë zgjdhjeve elektorale të 25 prillit, edhe atyre që u zhvilluan brenda partisë. “13 Qershori, votimi për Kryetarin e PDSH nuk solli asnjë risi, asnjë zgjidhje e asnjë shpresë pas humbjes dramatike të zgjedhjeve të 25 Prillit dhe traumës politike e psikologjike që solli 25 Prilli ndër votuesit e PD! Për herë të parë në historinë e jetës së saj PD mbetet 3 (tre) mandate rresht në opozitë dhe me rezultat përsëri më të ulët se ai i vitit 2013, kur doli në opozitë pas 8 (tetë) viteve në qeverisje! Kjo humbje dëshpëruese për PD ishte deri diku e paralajmëruar kohë më parë, ndaj kërkonte marrjen e masave të forta para se të mbërrinte 25 Prilli”, shkruan Nishani në Facebook. Ai akuzon Lulzim Bashën se e ka mbajtur partinë e tij larg qytetarëve. “Lulëzim Basha, e kishte mbajtur opozitën në një stanjacion politik, strukturor, pa nerv vibrant e larg qytetarisë, larg kolonave përfaqësuese të së djathtës dhe elitës së vendit. Një situatë absurde ku të gjitha sondazhet reale e tregonin liderin 10 pikë % poshtë pëlqyeshmërisë së partisë, çka paralajmëronte se PD do mund të mblidhte veç votat e elektoratit të saj historik e asnjë votë nga pjesa “gri” që në fakt përcakton se nga do të anojë shumica e re!”, shkruan Nishani. Ai e ka qujatur Bashën një dështak duke vënë në dukje se duhet ta clironte nga vetja PD. “Pikërisht ky realitet i trishtë e kjo sfidë dramatike duhet të nxiste PD dhe detyronte L. Bashën të krijonin hapësirën e një projekti të ri politik, krejt të ndryshëm nga ai i 2013-2021, që rezultoi i pasuksesshëm dhe i dështuar! Por në vend të kësaj, L. Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohshme për institucionet drejtuese të Partisë”, skruan Nishani. Ish kreu i shtetit dhe kryetari i Këshillit Kombëtar tha se Basha duhet të arrinte të shkonte në zgjedhje të parakoheshme. “Imagjinoni sikur L. Basha të kishte pasur forcën, energjitë dhe zotësinë të kishte realizuar zgjedhjet e parakohshme politike në vend (të cilat i premton rregullisht që prej 2015) siç bën ato në partinë që komandon vetë, se sa ndryshe do të ishin demokratët dhe vetë PD, sot”, tha ai duke saktësuar se 13 Qershori tregoi edhe një fakt të rëndë për vetë PD.
Zgjedhjet në PD
Bujar Nishani ka bërë përgjegjës Bashën edhe për antarësinë e Partisë Demokratike. Përveç se ai la gjysmën e anëtarësisë jashtë, ai tha se u votua shumë pak. “Përsëri për herë të parë në historinë e saj, PD drejtohet nga një Kryetar i cili doli nga procesi zgjedhor me votat e vetëm 30% të anëtarësisë, pra që përfaqëson minorancën brenda kësaj partie, madje duke marrë 40% më pak vota se sa kishte marrë në zgjedhjen e tij paraardhëse në 2017. Imagjinoni tani se sa do të mundet të motivojë e bëjë për vete ky “udhëheqës” elektoratin shqiptar në zgjedhjet e ardhshme kur brenda partisë së tij ka rënë me 40%”, tha Nishani duke shtuar se PD paraqet “kërcënimin” më të dobët se kurrë më parë ndaj qeverisjes së PS, në të gjithë historinë e saj gati 30 vjeçare. Ai ka akuzuar Bashën se po bllokon e pengon reflektimin, korigjimin dhe ndryshimin rrënjësor të PD, jo vetëm si një parti kryesore e sistemit politik por më së shumti si alternativë qeverisëse në një demokraci funksionale. “PD nuk është L. Basha, PD nuk është as Kryesia e saj, as Këshilli Kombëtar, PD nuk është as grupi në minorancë i deputetëve, madje PD nuk është as vetëm anëtarësia e saj. PD është, të paktën sot, 620 mijë shqiptarë që e votuan më 25 prill, por që edhe ata rezultuan të ishin të pamjaftueshëm për atë çka duhet të jetë vërtet PD”, shkruan Nishani. Ai vijon me idenë se PD-së i duhet një lidership i ri. “Për këtë më së pari PD i duhet lidership i ri, vizion i ri, projekt i ri! PD nuk mund të ketë sukses duke u drejtuar nga një kryetar i pa aftë dhe jo serioz! PD i duhet një lidership ndryshe. I duhet jo një lidership që quhet i tillë sepse cakton emrat e Kryesisë së Partisë, apo sepse vendos listën e deputetëve, por një lidership me forcë dhe integritet që fiton besimin, simpatinë, solidaritetin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve pavarësisht faktin nëse janë anëtar të PD, simpatizantë të saj apo qytetarë pa afilacione partiake!”, shkruan Nishani.
Nishani për Ramën
Ish kreu i Shtetit ka bërë përgjegjës edhe Ramën për vjedhjen e votave më 25 prill. “Edi Rama e kishte shndërruar pushtetin e tij të pakufizuar e të pa kontrollueshëm nga askush pothuajse në një regjim kleptokratik ku korrupsioni, antiligji, dhe fasada propagandistike ishin kolonat e ngrehinës që mbante peng shqiptarët”, shkruan Nishani. Ai shkruan se deri në 2025, Rama do të ketë më shumë para korrupsioni për ta marrë edhe një herë pushtetin. “Regjimi i Edi Ramës ekzekutoi të njëjtin skenar manipulimi siç kishte bërë edhe në 2015 e 2017, madje me blerje votash e ushtrim influencash edhe më të mëdha e më të shumta se më parë! Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse në 2021 kishte para korrupsioni në dispozicion shumë më tepër se në 2017, dispononte pushtet shumë më të madh e të pakontrolluar se në 2017. Por po ashtu është shumë e qartë se në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato parlamentare në 2025, regjimi i tij do të ketë edhe më shumë para korrupsioni e pushtet të pakontrollueshëm se sa sot në 2021”, shkruan ish kreu i shtetit.