Ish-i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin, Edi Rama në median amerikane Newsmax.
Teksa u pyet për vendimin e DASH për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha ‘non grata’, Rama tha se ky është një sinjal që pandëshkueshmëria në vendin tonë po mbaron.
“Do të thosha se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush s’është mbi ligjin”, tha Rama për Berishën.
Po ashtu ai u ndal edhe te mini-Shengeni Ballkanik, ndërsa falënderoi Grenell për kontributin e tij në këtë iniciativë. Ndërsa përmendi konfliktin e Serbi-Kosovë, Rama tha se gjithsesi është e mundur të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave.
“Së pari, më duhet ta përsëris që ju s’jeni më në rolin e kontribuesit të iniciativës së mini-shengenit për të cilin ju falënderoj për rolin tuaj. Në anën tjetër është një konflikt i pazgjidhur shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por është e mundshme që të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave”, u shpreh ai.
E ndërsa Ministrat e Jashtëm të BE nuk vendosën për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama u shpreh se BE ka dhënë premtimin se dy vendet do të anëtarësohen, por shtoi se Unioni Europian është bazuar në vendim-marrjen e të gjitha shteteve dhe kur një shtet s’pajtohet, gjithçka ndalohet.
“BE-ja ka dhënë vlerësimin dhe premtimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Në anën tjetër s’ka vendim sepse BE-ja është e bazuar në vendim-marrjen e të gjitha shteteve dhe pastaj kur një shtet s’pajtohet gjithçka ndalohet”, u shpreh Rama.