Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njofton se për dy ditë, qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Sipas ministres, të rinjtë dhe personat e tjerë të interesuar do të kene vetëm dy ditë afat.
Në datat 29-30 qershor, që përkojnë me ditën e martë dhe të mërkurë të javës tjetër, do të bëhet vaksinimi masiv i qytetarëve që do të aplikojnë gjatë këtyre ditëve në e-Albania.
Qendrat do të qëndrojnë të hapura vetëm për këto dy ditë, ndërsa më pas vaksinimi do të rinisë përsëri për personat mbi 50 vjeç.
“Këto do të jenë kryesisht ditë ndërgjegjësimi më shumë, por duhet të kemi mbulim me vaksina, që të shmanget infeksioni. Pavarësisht se jemi në situatë të mirë, nuk mund të themi që jemi imun, qoftë nga Covid-19, qoftë nga variantet e reja”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Do të organizojmë edhe ditë të tjera të hapura, dhe të gjithë qytetarët mund të aplikojnë në eAlbania dhe do të njoftohen përmes sistemit për qendrën ku do të mund të vaksinohen”.