Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije se në 15 korrik do të hapet bypass-i i Vlorës, duke e cilësuar si një datë të panegociueshme.
Gjatë inspektimeve, Balluku tha se kjo rrugë do të lehtësojë trafikun për të gjithë pushuesit që do të shkojnë drejt jugut. Nisur nga aksidentet e shumta rrugore, Balluku tha se në këtë rrugë do të ketë përqendrim të madh të Policisë Rrugore, për të mos lejuar atë që ndodh në të shumtën e rasteve kur hapen rrugë të reja, që shoferët ecin me shpejtësi shumë të madhe.
“E kemi parë që gjatë fundjavave që ngarkesa ka qenë shume madhe, Vlora do përdoret si rrugë, por të paktën ato që qytetarë që do të aksesojnë rrugë, trafiku do ndahet në dy pjesë dhe nuk do e kemi më këtë problamike. Duhet tregohet kujdes, është rrugë e re, e di që thërrasin për shpejtësi rrugët e reja, ne ketë po e hapim për të lehtësuar trafikun, jo për të bërë gara se do ketë përqendrim të madh të Policisë rrugore”, tha Balluku.
Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 29 kilometra është parashikuar të dorëzohet brenda 36 muajve, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së saj në funksion. Ky bypass nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në lindje të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.Në projektin janë parashikuar ndërtimi i 5 ura, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat. Rruga e re vlerësohet si një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.