Asti ishte Episkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit. Emri tij do të thotë: “qytetar” ose “i qytetit”. Ai ishte një Bari i vërtetë, shembull i gjallë i një jete të krishterë aktive për besimtarët e tij, një veprimtar i zellshëm për përhapjen e Ungjillit.
Trajani, me hipjen në fron si Perandor i Romës (98-117), përtëriti dekretin e persekutimit të krishterëve në të gjithë Perandorinë Romake. Kështu Asti arrestohet nga paria e qytetit Numeriu, Nearku, Aglaidhi dhe Ariani dhe, pasi nuk pranoi t’i bëjë therore idhujve, e dorëzojnë te qeveritar Agrikola. Ky u përpoq që në fillim t’i ndryshonte mendjen dhe të mohonte Krishtin e më pas me kërcënime, por pa rezultat. Si një kryefetar i denjë i foli Agrikolës se nuk vlente ai pushtet që përdor forcën e tij për të bërë keq.
Qeveritari, i tërbuar nga qëndrimi i Astit, mendoi të hakmerrej djallëzisht. E torturuan, duke e rrahur me kamxhikë prej lëkure kau të pajisur me sfera plumbi, por ai përsëri ngulmoi në besimin e tij te Krishti, duke mos e mohuar Atë. E më pas, e lyen me mjaltë dhe e kryqëzuan mbi dru, pranë mureve të qytetit, ku, i pickuar nga grerëzat dhe insektet e tjera, dha shpirtin e tij dhe mori kurorën e martirizimit. Ishte kohë vere dhe dielli përvëlonte. Lipsanin e shën Astit i morën të krishterët dhe e varrosën duke ngritur edhe një kishë mbi të.
Po atë ditë me shën Astin dhanë jetën e tyre si dëshmorë të Krishtit dhe 7 besimtarë të tjerë që quheshin: Peregrini, Lukiani (Luçiani), Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani, të gjithë nga Italia. Meqenëse atje ata përndiqeshin, erdhën me një anije në Durrës, për të shpëtuar.
Këtu, duke parë shën Astin, episkopin e Durrësit, të varur në kryq, të lyer me mjaltë dhe të pickuar nga grerëzat dhe insektet, për besimin e Krishtit, filluan ta lumëronin atë dhe t’i thurnin lavde e për këtë ata u arrestuan. Këta deklaruan se ishin të krishterë. Qeveritari, i tërbuar nga vendosmëria e Astit dhe i befasuar nga vendosmëria që të 7 këta pohuan se ishin të krishterë, urdhëroi dhe i mbytën në detin Adriatik, kështu të lumurit morën kurorën e pavyshkur të martirizimit (Këta festohen nga Kisha të nesërmen, dt. 7 korrik).
Mbas 70 vjetësh dëshmorët iu shfaqën Kryepiskopit të Aleksandrisë. Ky i gjeti lipsanet e çmuara të tyre të futura në rërë, i mori e i varrosi me nderim dhe ndërtoi një kishë të vogël për nder të tyre.
Për hierodëshmor Astin janë hartuar dy shërbesa kishtare me himne, të cilat psaleshin ditën kur populli e kremtonte bashkëqytetarin e tyre. Shërbesa e parë ka qenë hartuar nga Josif Himnografi i shekullit të 9-të, ku një kopje e saj ruhet në një dorëshkrim, në Bibliotekën e Parisit në kodikun greqisht 13, f.330a dhe 1575, f.145b. Shërbesa e dytë është hartuar në vitin 1918 me titull “Shërbesë e kënduar e Shenjtit, hierodëshmor të lavdëruar Astit, Episkop i Durrësit, hartuar nga Mitropoliti i Durrësit, Gorëmokrës dhe Shpatit, Jakovi, dhe e miratuar nga Kisha e Madhe e Krishtit shtypur me shpenzimet e të nderuarit Mihail Thoma Truja nga paria e Durrësit. Në Konstandinopojë, 1918”.
Kjo shërbesë u miratua nga Sinodi i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, më 30 korrik 1918 dhe mban nënshkrimin e Patriark Gjermanit.
Shën Asti ka qenë dhe vazhdon të jetë një shenjtor tepër popullor ndër besimtarët e krishterë orthodhoksë të Durrësit, aq sa edhe mjaft qytetarë të tij mbanin dhe mbajnë emrin e tij, si dhe ndërtonin edhe kisha për nder të tij (historianë, kronistë dhe arkeologë dëshmojnë mjaft për të, ku ndër të tjera përmendim katedralen e madhe për nder të shën Astit dhe Isavrit në shek. XIII-XIV, në Spitallë në vitin 1917, në varrezat e qytetit rreth vitit 1957, së fundi në 2002 ndërtuar nga Kryepiskopi Anastas, pranë portit).
Fama e shën Astit kalon kufijtë e qytetit dhe të vendit tonë, duke u përmendur dhe pikturuar në afreske edhe në kisha të tjera lokale si ato të Ohrit, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H
Subscribe to Updates
Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.
© 2025 Gazeta Fjala. All rights reserved. Dev by Keminet & iRegister.