Kreu i qeverisë distancohet nga Tushe, duke i dhënë një mesazh të qartë se do të jetë “vetëm” në përballjen me ligjin. Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha ka vlerësuar lëvizjen e SPAK për arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, ndërsa kërkon arrestime në nivele më të larta. Për këtë çështje mbajti qëndrim edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim: Tani është koha për të gjykuar nëse ia vlen të shkosh në burg!
Kreu i qeverisë, njeherësh edhe ktyetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë i prerë në deklaratën e tij për akuzat që i janë bërë “të vetëve” nga institucioni i akuzës. Rama ka reaguar menjëherë pas lajmit se kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe është arrestuar nga policia, nën dyshimet për korrupsion. Në një postim në Tëitter, Rama thotë se Tushe dhe “cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste”. “Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, shkruan Rama në Twittwr ndërkohë që ka qenë në Fier. Sipas shefit të qeverisë, “flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”. “Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan Rama.
Basha
po ashtu edhe kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe. Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se PD e ka denoncuar prej vitesh përfshirjen e Tushes në korrupsion. Sipas tij, arrestimi i kryebashkiakut është një fillim i mirë drejt luftës kundër korrupsionit por kjo do varet nga aftësia për të goditur lidhjet e pushtetin me krimin, pra lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën. “Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi”, shkruan Basha.
Yuri Kim
Edhe ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar pas arrestimit të kryebashkiakut Tushe se tani është koha që të gjithë personat që janë përfshirë në korrupsion, të reflektojnë dhe të mendojnë nëse ia vlen të shkojnë në burg. “Nëse jeni të përfshirë në korrupsion – pavarësisht sa të fuqishëm mendoni se jeni – tani është koha për të peshuar ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj. Tani është koha për të gjykuar nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për t’u ndalur. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Kim. Edhe pse Kim nuk ishte në tryezën e ditës së hënë që u bë për drejtësinë, ajo ka qenë promotore e arrestimit të personave që kapen duke shpërdoruar detyrën dhe sekuestrimit të pasurisë së tyre, të vënë në mënyrë të paligjshme.