Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ironizoi me kryeministrin Edi Rama, i cili i dha 100 ditë afat policisë për reformim. “Shqiptarët dëgjuan kryeministrin në rolin e shejtanbudallait, që pas 2 mijë e 920 ditësh, pra 8 vitesh, në një pushtet të fituar me mbështetjen e krimit dhe që e ushtron në mbështetje të krimit, t’u japë 100 ditë afat drejtuesve të policisë për të gjetur të infiltruarit në rreshtat e forcave të rendit”, tha Alibeaj. Ai vijoj më tej se policia ka qenë uhstare e interesave të oligarkëve. “Shqiptarët e dinë që policia e drejtuar nga ushtarët e Edi Ramës nuk u shërben atyre, por interesave të oligarkëve, kur forcat e rendit përdoren për të hedhur gaz lotësjellës për të nxjerrë fëmijë 5-vjeçarë nga shtëpitë e tyre për të mbrojtur grabitjen e pronës nga mafia e ndërtimit, apo për të shembur në mënyrë barbare dhe antikushtetuese Teatrin Kombëtar”, tha Alibeaj. Ai ka renditur të gjitha ndryshimet e bëra së fundmi në polici, duke bërë lidhjet që eksistojnë mes personave të tjerë. “Ardi Veliu, që jo më larg se 3 muaj më parë, mashtroi shqiptarët për të mbuluar lidhjet e Ramës me kriminelët që blenë vota për të në Elbasan. Gjovalin Loka, i shkarkuar nga Drejtor i Rendit Publik pasi ka nxjerrë të dhëna për llogari të një grupi kriminal në veri, që është përfshirë në kanabzimin e Shkodrës dhe Lezhës, i përfshirë gjithashtu në procesin zgjedhor në Elbasan. Edmond Traga, i emëruar në Berat, një nga zonat më të begata për kultivimin e hashashit, që shkon aty me eksperiencën me të cilën lejoi kanabizimin e Dibrës kur qarku u kthye në hambar droge. Neritan Nallbati, i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, apo Oltion Bitri, mik personal i Ardi Veliut, i njohur si gjobvënës i lokaleve të bllokut dhe ushtrues presionesh gjatë zgjedhjeve të ndryshme në favor të pushtetit. Lorenc Shehu, gjobvënës për subjektet e OFL-së, që u përfshi në fushatën zgjedhore me grupet kriminale të Shijakut, në shërbim të Ardian Celën dhe Vangjush Dako. Apo Niko Brahimaj, që sipas SHISH paguhej për informacionet që jepte, dhe ka favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi”, shtoi Alibeaj.