Një sasi kokaine prej të paktën 150 kilogramë është kapur në Portin e Durrësit pasditen e sotme, në një kontejner të ngarkuar me banane që vinte nga Ekuadori.
Bëhet me dije se kokaina u gjet pas një kontrolli të Policisë Kufitare, ku nga skaneri rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit, ku edhe u gjet më pas e fshehur droga.
Sasia e lëndës narkotike është ende duke u peshuar, ndërsa kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit që dy ditë më parë dhe ishte nënë vëzhgimin e autoriteteve për të kapur personin që do të shkonte për të marrë ngarkesën.
Ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, u paraqit sot për të tërhequr ngarkesën, ndërsa u ndalua nga Policia. Për momentin nuk ka ende të arrestuar dhe nuk dihet as emri i kompanisë që kishte porositur ngarkesën nga Ekuadori.