Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri duan që të dalin patjetër nga burgu, të dy mbaheshin brenda burgut 313 në kryeqytet ku kanë tentuar të arratisen nga institucioni i vuajtjes së dënimit.
Të burgosurit kanë qenë në ambientet e ajrosjes kur kanë tentuar që të arratisen duke përdorur çarçafë për tu larguar.
Me anë të një çarçafi ata kanë tentuar që të kalojnë nga ajrosja në ambientet e administratës së këtij burgu, por plani u ka dështuar pasi janë pikasur në kohë nga gardianët e burgut dhe janë rikthyer në qelinë e tyre. Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri janë emra të njohur të botës së krimit dhe drejtësisë shqiptare. Fatmir Pjetri ishte pjesëtar i “bandës së Babagjyshërve” u ekstradua nga Holanda.
33-vjeçari, lindur në Pukë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ngjarjet ku eshtë përfshirë Pjetri:
Burime zyrtare bëjnë me dije se Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.
Disa nga episodet:
•Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;
•Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;
•Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;
•Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë./Gazeta Shqip