Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me një video që po bën xhiron e rrjetit, në të cilën shfaqen civilë të dëshpëruar afganë që kalojnë një foshnjë tek ushtarët amerikanë të vendosur në aeroportin e Kabulit.
Zëdhënësi i Trupave të Marinsave Amerikanë, majori Jim Stegner ka bërë një deklaratë të shkurtër, duke konfirmuar vërtetësinë e videos në fjalë teksa thotë:
“Mund të konfirmoj se anëtari i shërbimit me uniformë i paraqitur në video është një marins me Njësinë e 24. Foshnja që shihet në video u dërgua në një strukturë mjekimi dhe për të u kujdesën mjekët profesionistë”.

Vlen të thuhet se videoja u bë virale dhe ngjalli kujtimin e largimit të SHBA nga Saigon në fund të Luftës së Vietnamit. Marinsit amerikanë publikuan më pas një foto ku shihet se si një ushtar amerikan kujdeset për vogëlushen, e cila mësohet se më pas u bashkua me të atin e saj.