Si pasojë e Covid-19, në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK në Prishtinë, ka ndërruar jetë një foshnje 3-javëshe.
Rasti ka ndodhur pasditen e djeshme dhe është konfirmuar nga u.d. drejtoresha e Neonatologjisë Dr. Hajrije Ismaili. Ajo ishte infektuar me virus nga familjarët e saj.
“Po ka qenë rast i pranuar në gjendje të rëndë i konfirmuar Covid-19 pozitiv. Ka pas pneumoni të rëndë e poashtu është konfirmuar edhe sepsë. Vazhdimisht ka qenë në ventilim mekanik si pasojë e infeksionit të rëndë mushkëror dhe sistemik, si dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipet mjekësore”, ka deklaruar Ismaili, për mediat në Kosovë.
Profesionistët shëndetësorë në Kosovë kanë bërë thirrje për vaksinim të grave shtatzëna dhe lehona.
Sipas gjinekologëve dhe infektologëve, vaksinat kundër Covid-19 nuk ndikojnë në shëndetin e shtatzënave dhe frytit të tyre, ndërsa nuk pengojnë as procesin e gjidhënies.
Fatkeqësisht brenda një jave në Kosovë kanë vdekur katër gra shtatzëna.