Gjykata e Gjilanit ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg Ardian Xhaferi i njohur ndryshe si ‘‘The mike’’, anëtar i grupit muzikor ‘‘E7’’. Sipas mediave kosovare, Xhaferri akuzohet se në vitin 2012 ka tentuar të vrasë Burim Osmanin, reperi i njohur me emrin Duda. Paraprakisht, Xhaferi e pranoi fajësinë për akuzat.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, i akuzuari deklaroi se e ndjen veten fajtor për veprat penale për të cilat ngarkohet nga prokuroria. Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Uka, e më pas u aprovua nga gjykatësi Thaqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ardian Xhaferi më 15 qershor të 2012-ës, në lagjen “Dardania I”, rruga IV, ka shtënë me revolen e tij në drejtim të Burim Osmanit, por nuk ka arritur ta godasë, prandaj vepra penale mbetet në tentativë, e më pas u arratis nga vendi i ngjarjes.