Kombëtarja shqiptare U-21 është mund me rezultatin 4-0 nga Republika Çeke në ndeshjen e dytë të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2023 të moshës U-21, Grupi G. Takimi i zhvillua të hënën dhe pritej që ekipi ynë të tregonte vlerat në gushë, por vetëm kjo nuk ka ndodhur.
Apatia e plotë, kaosi dhe mbi të gjitha fakti që nuk goditën qoftë edhe një herë kuadratin e portës kundërshtare është një tregues i frikshëm që duhet ndryshuar në vijim. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi e nisën ndeshjen me formacionin: Alia, Mitaj, Selmani, Pëllumbi, Ismailgeci, Marku, Muçi, Çelhaka, Lakti, Karrica, Gjata.
Në sfidën e luajtur në stadiumin “Stadio Střelecký”, kombëtarja U 21 e panë veten në disavantazh shumë shpejt, kur në minutën e 6-të çekët shënuan me anë të Ostrák pas një gabimi të portierit Marco Alia. Në minutën e 13-të vendasit çojnë shifrat në 2-0 me golin e realizuar nga Fila, sërish pas një pakujdesie të portierit kuqezi. Pasimi i dy golave të shpejtë duket se ka goditur psikologjikisht përfaqësuesen e 21-vjeçarëve që e ka të vështirë të reagojë siç duhet. Në minutën e 32-të, çekia gjen edhe golin e tretë me anë të Daněk pas një aksioni bukur.
Trajneri Bushi reagon menjëherë duke bërë zëvendësimin e parë. Në minutën e 35-të nga fusha largohet Mario Gjata dhe vendin e tij e merr Mehdi Çoba. Në fillim të pjesës së dytë Nikqi zë vendin e Karricës në sulm, ndërsa në minutën e 64-t teknik zëvendëson Laktin e Muçin me Prengën dhe Vangjelin. Një tjetër goditje për kuqezinjtë vjen në minutën e 71-të kur Mario Mitaj ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë në fushë.
Ka kohë edhe për një zëvendësim të fundit me Anis Mehmetin që zë vendin e Çelhakës në minutën e 77-të. Në minutën e 83-të çekët gjejnë edhe golin që vulos sfidën në rezultatin 4-0 me Šulc. Kjo ishte ndeshja e dytë e Shqipërisë U-21 në këtë eliminatore, teksa ndeshjen e parë e fituan në Andorra me rezultatin 3-0. Aktualisht përfaqësuesja e 21-vjeçarëve renditet në vendin e 4-t, ndërsa në vendin e parë e mban Republika Çeke.