Tragjedia e mbrëmshme në Fier, ku 31-vjeçari Elton Meta vrau ish-gruan e tij Sabrin Bengaj, mesa duket ka qenë paralajmëruar një vit më parë kur ai mori peng bashkëshorten dhe kanosi familjen e saj si dhe kërcënoi se do të vetëvritej.
Ai u arrestua nga policia dhe u lirua më pas me vendim gjykate me arsyen se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë pasoja e kësaj ishte pikërisht ngjarja e mbrëmshme, pasi Eltoni shkoi sërish në shtëpinë e Sabrinës dhe aty e ekzekutoi.Një vit më parë, nëna e 31-vjeçarit deklaroi se i biri e kishte ndërmarrë atë veprim për shkak se nusja bashkë me vajzën ishin larguar nga shtëpia.
“Nusja i kishte ikur nga shtëpia me vajzën. Për shkak të nuses e merakut të vajzës, djali u bë keq. Dua ta takoj sepse nuk e meritonte. I bëj apel shtetit të më ndihmojë të takoj djalin. Para një jave nusja largohet nga shtëpia me vëllain e saj, por pa i thënë djalit. Këtë e ikje e bënte shpesh dhe për një moment, u frikësova. Unë e mora në telefon dhe më tha,- Unë ika, nuk do të vij më. Nuk e dua më”- deklaronte ajo.
Ndërsa babai i Eltonit deklaroi se djali ka denoncuar nusen në polici. “Djali im ka denoncuar në polici nusen dhe nuk e ndihmoni. Pas 2-3 orësh erdhi policia dhe kërkoi. Djali kaloi në depresion nga xhelozia që kishte gruaja për burrin”-tha ai.