Ish- kryeministri Sali Berisha ishte dje në qytetin e Shkodrës ku është pritur me shumë entuziazëm nga demokratët e kryqytetit verior. Krahasuar me takimet e përrshme të Berishës, ky takim ka qenë më i madh, duke dhënë mesazhin se Berisha po ndiqet nga baza e demokratëve. Ndryshe nga Lulzim Basha, i cili marrëdhëniet e mira e ka vendos me kupolën duke bërë “politikë elitare”, Berisha po i rrëmben bazën, që kthehet në votë për Berishën, nëse mund të bëhen zgjedhje në Partinë Demokratike për kryetar partie. Ish lideri i PD, Sali Berisha në takimin që mbajti në qytetin e Shkodrës ka dalë kundër komisionit hetimor të propozuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat ajo i quan një masakër elektorale. Sipas Berisha, opozita duhet t’i denonconte parregullsitë e zgjedhjeve në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare, ndërsa propozimin për komision parlamentar e konsideroi si lëvizje për të gënjyer njerëzit. “Tani del dhe thotë po krijoj komision hetimor. Po çfarë komisioni, për të gënjyer njerëzit? Për çfarë duhet? Ti duhet të shkojë në OSBE, BE, kancelari të thoje si i mori zgjedhjet. Tani që ke nisur negociatat me të po i bën furça atij. Ndaj ky fenomen është fund e krye tradhti ndaj jush dhe ndaj shqiptarëve. Në mbrojtje të peng-kryetarit është vërsulur propaganda e qeverisë. Përpiqen të paraqesin variante, por e vërteta është se pengu është i pashpresë”, deklaroi nga “Foltorja” e Shkodrës, Berisha.
Ndryshimet kushtetuese
Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi edhe njëherë Lulzim Bashën se në 8 vite në opozitë nuk arriti asnjë fitore përballë kryeministri Edi Rama. Lidhur me debatet e ditëve të fundit për ndryshimet kushtetuese, Berisha u shpreh se nuk duhet të lejohet asnjë marrëveshje me Edi Ramën pa miratimin nga Këshilli Kombëtar i PD. “Rama nis mandatin e tretë sepse opozita kaloi këto 8 vite nga dështimi në dështim. Nëse Rama nis mandatin e tretë, përgjegjësitë madhore bien mbi opozitën shqiptare. Ajo nuk qe e zonja të fitojë në asnjë nismë, përveç dekriminalizimit. Keni dëgjuar këto ditët e fundit që po bëjmë ndryshime kushtetuese. Po bëjmë këtë, po bëjmë atë. Nga cila marrëveshje me Ramën ka fituar opozita. Në asnjë prej tyre. Dua t’iu them të heqin dorë nga marrëveshjet pa miratimin paraprak nga Këshilli Kombëtar. PD ka forume politike. Nga marrëveshja në marrëveshje kemi shkuar nga disfata në disfatë”, u shpreh Berisha.
Thirrje për bashkim
Ish kryeministri Sali Berisha me nismën “Foltorja” ka këkruar bashkimin e demokratëve për të mos e lënë Partinë Demokratike që të kthehet në aprti interesash. Sali Berisha bëri thirrje për bashkim, ku kërkoi nga demokratët e pranishëm që të bëjnë opozitën e vërtetë. “Ndaj u bëj thirrje çdo demokrati të arsyetojë mbi këtë bazë. Koha është kritike. Ne duhet të bashkohemi nëse duam të ekzistojmë. Ata që thanë se PD mund të shkrihet janë miqtë tanë. Ata e panë që me këtë drejtim, PD nuk fiton kurrë. Ndaj le të dalë një forcë e re, që të bëjë opozitën e vërtetë. Opozitë e vërtetë do bëhemi ne. PD do rikthehet më e fuqishme,” tha Berisha. Nga ‘foltorja’, aksion që Berisha po e mban në çdo qytet pas përjashtimit të tij nga PD-ja, theksoi se kjo nuk është një çështje mes tij dhe Bashës, por bëhet për votën. Ai mes të tjerash tha se opozitë e vërtetë do të bëhet ai bashkë me mbështetësit e tij, duke shtuar se do të rikthejë PD në opozitë siç ishte. “Ju konstatoni se në mbrojtje të peng kryetarit është vërsulur e gjithë propaganda e qeverisë. Përpiqen që të paraqesin variante nga më të ndryshmet, por e vërteta është se pengu është krejt i pashpresë. A është kjo një çështje mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës? Jo, nuk është! Unë kam të drejtë morale të them se kjo është një çështje mes të pabesit, besëprerit, dhe njeriut të besë. Jo nuk e them këtë. Por është një çështje themelore për pluralizmin shqiptar. Që nga themeli i PD dhe pluralizmit deri më sot, pluralizmi s’ka qenë në giotinë siç është këtë herë”, tha Berisha.
Qeverisja Rama
Berisha përmendi ato që i quajti ‘rekordet më të zeza të kësaj qeverie” për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Berisha theksoi se PD nuk qe e zonja të fitojë në asnjë nismë, përveç ligjit të dekriminalizimit në këto 8 vite. “Sot po ndalem shkurtimisht në rekordet më të zeza të kësaj qeverie. Sot regjimi 8-vjeçar i Edi Rama i katandisi shqiptarët nga qytetarët me rrogat më të larta në rajon në qytetarët me rrogat më të ulëta në rajon. Më të ulëta se Kosova. Shkodra ka njohur arrestimet më të mëdha në ‘45-‘46 nga regjimi i Enver Hoxhës. Numri më i madh i arrestimeve ka qenë në 2014 ku u arrestuan 38 mijë qytetarë për faturat e dritave dhe të ujit. Çështjet civile nuk janë penale. Një skizoid që kishte pasion hekurat dhe burgun urdhëronte çdo ditë e natë arrestime”, tha ai. Sipas Berishës në asnjë vend të botës nuk arrestohet, pritet drita, pritet uji, por jo burgu. “Pse në 8 vite Edi Rama ndërtoi gjithsej 34 km autostradë gjysmë të përfunduara sepse 8-fishoi çmimin e punimeve publike. 15-fishoi tenderët sekretë, ndërkohë borxhi ka kaluar 62.6% që ishte në mbi 80%. Sistemi shëndetësor po shkon drejt shpartallimit dhe Shqipëria regjistron ndër rekordet më të larta të vdekjeve nga pandemia. Me qindra shkolla janë mbyllur. Shqipëria është shndërruar në delen e zezë të Ballkanit dhe Europës. Çdo javë dëgjoni nga një rekord të zi për shqiptarët. Në vend se të ecnim drejt BE-së, me vështirësi, por me seriozitet, pa iu lut dhe pa ia shtrirë dorën njeriu, kërkojmë vlerësim, ne zbatojmë standardet, 8 vite në vend numëro. Sot jemi 10 herë më afër me Serbinë, se sa me Gjermaninë, Italinë, Francën apo BE-në”, tha Berisha. Të pranishëm në Shkodër ishte Flamur Noka, Klevis Balliu, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri si dhe është shfaqur edhe vajza e Jozefian Topallit, Megi. Edhe vetë Tollapi ka thënë që do të jetë e pranishëm në takimin me Berishën. Të tjerë mbështetës të tij ishin edhe ish deputeti Lorenc Luka, kreu i FRPD, Arvid Vushati, ish kryetrarët e bashkisë Ormir Rusi dhe Artan Haxhi, sekretari i degës PD, Aleksander Marleci, N/kryetarja Irena Shestani si dhe demokratë të Shkodrës.Ndërkohë që deri tani asnjë nga deputetët demokratë të Shkodrës nuk i janë bashkuar Berishës, madje as Bardh Spahia e kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dy nga figurat e rëndësishme të demokratëve në Shkodër.