Nga Carl Bildt
Edhe pas një çerek shekulli paqeje relative, Ballkani ende s’e ka arritur paqen e qëndrueshme për të cilën është shpresuar që kur luftërat në rajon morën fund. Ndërsa tani që procesi i integrimit në BE është ndalur, s’mund të përjashtohet rikthimi i konflikteve të dhunshme.
Stockholm – Me dy dekada luftë në Afganistan që përfunduan në mënyrën më të zymtë të mundshme, duhet kujtuar që kanë kaluar tri dekada që kur lufta zbarkoi në Ballkan. Që të dyja këto raste janë për t’u studiuar në kuptimin e asaj se çfarë pasoja shkatërruese mund të ketë keqmenaxhimi i luftërave, pasoja që jehojnë me dekada të tëra.
Në Ballkan, një luftë e vogël mes federatës në shpërbërje të Jugosllavisë dhe njërës nga republikat e saj konstituitive, Sllovenisë, u ndoq më pas nga konflikti edhe më i madh, kësaj here në Kroaci. Brenda një viti, një konflikt çnjerëzor shpërtheu edhe Bosnje dhe Hercegovinë. Krejt papritur, periudha e ‘pas-luftës’ e Evropës mbaroi.
Luftërat e Ballkanit bënë bujë për një dekadë. Marrëveshja e Paqes së Dejtonit i dha fund konfliktit në Bosnje, më 1995, por pas kësaj erdhi lufta në Kosovë deri më 1999, dhe u ndoq pas në vitin 2001 nga disa shpërthime serioze të dhunës në atë që sot quhet Maqedonia e Veriut.
Thënë të gjitha, luftërat në Ballkan morën më shumë se 100 mijë jetë njerëzish, zhvendosën miliona, dhe e kthyen mbrapa me dekada zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit. Edhe pse rajoni, në pjesën më të mëdha jetonte ekonomikisht me hua, Jugosllavia e vjetër u kishte dhënë qytetarëve të saj një standard shumë më të mirë të jetesës se sa vendet tjera socialiste. Shpërbërja e dhunshme dhe e gjatë e vendit, e ndryshoi krejt këtë gjë.
Marrëveshjet e paqes që ishin ndërthurrur së bashku në atë kohë s’ishin asgjë më shumë se ndalim-qetësime të atypëratyshme. Të gjithë e kuptonin se stabiliteti i qëndrueshëm do të kërkonte një konturë gjithëpërfshirëse dhe më të gjerë. Kështu që, në vitin 2003, Bashkimi Evropian deklaroi që tërë rajoni duhet të punojë drejt një të ardhme stabile dhe paqeje të qëndrueshme, brenda BE-së.
Sigurisht, askush nuk ka pritur që kjo gjë mund të ndodh brenda natës; por gjithashtu askush s’ka menduar se procesi i integrimit do të jetë kaq i nxjerrur jashtë, siç ka qenë. Që nga anëtarësimi i Sllovenisë më 2004, dhe Kroacisë me 2013, zgjerimi BE-së me Ballkanin ka ngecur efektivisht.
Arsyeja për këtë është e dyfishtë. E para, reformat politike dhe ekonomike të vendeve jo-anëtare në BE të Ballkanit, kanë qenë jashtëzakonisht të ngadalshme, ndërsa korrupsioni dhe sentimentet nacionaliste janë mëse ngunjuar. E dyta, mbështetja për zgjerim të mëtejshëm është zbehur brenda shumë vendeve të BE-së. Edhe pse politikanët evropianë këtë ide ende e zënë në gojë, pengesat dhe vonesat për të ende përjetohen mirë nga disa shtete kyçe anëtare.
Për më tepër, problemet brenda vendeve të Ballkanit janë të rënda. Një çerek shekulli pas Marrëveshjes së Dejtonit, komuniteti ndërkombëtar ka konstatuar që Bosnja dhe Hercegovina është një shtet aq jo-funksional sa që kanë caktuar edhe një Përfaqësues të Lartë me fuqi ekzekutive të mëdha (unë isha i pari që kam mbajtur një pozitë të tillë, nga 1995 në 1997), duke e shtyer jashtë binarëve agjendën e këtij shteti për anëtarësim në BE.
Ndërkohë, Serbia ka rënë nën çizmen e një regjimi autokratik që një ditë flirton me Kinën, ditën tjetër i përkulet Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e saj i kthejnë buzëqeshjen Komisionit Evropian në Bruksel. Pavarësisht përpjekjeve tejet të mëdha nga BE-ja dhe ShBA-ja, çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë janë larg zgjidhjes.
Së fundmi, pas bllokimit të anëtarësimit në BE nga Greqia (për shkak të konstetit për emër), Maqedonia e Veriut tashmë po e gjen veten të përzënë nga Bullgaria, për arsye që shtrihen mbrapa në histori të rajonit (por që s’kanë kurrëfar peshe bashkëkohore).
Për t’i komplikuar çështjet edhe më tej, beteja e BE-së për t’i frenuar sulmet mbi sundimin e ligjit dhe mediat e pavarura nga qevria e Hungarisë dhe Polinisë, ka prishur apetitetin e saj që të ndërmerr rreziqe me vende potencialisht iliberale. Kur Hungaria ofroi entuziazmin e tyre të ngrohtë që të garantojë anëtarësimin e Serbisë në BE, shumë shtete brenda BE-së panë agjenda të fshehta që duhen ndaluar.
Fillimi i bisedimeve në BE më 2003 ishte veprim i guximshëm dhe hap strategjik. Por tashmë ky prospekt për integrimin e Ballkanit po perëndon, dhe kjo shaka duhet të merr fund. Në vend të kësaj, liderët politikë duhet të pranojnë realitetin dhe të fillojnë të ndërtojnë hapa real të përkohshëm të cilët do të përmirësonin gjendjen në rajon pa e braktisur qëllimin përfundimtar.
Një pikënisje e mirë do të ishte nisma e Ballkanit të Hapur, e cila është projektuar për të rritur tregtinë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Por kjo nuk mjafton. BE duhet ta udhëheqë duke propozuar aranzhim të ri, një propozim që do të ofronte anëtarësim në doganat e unionit dhe tregut të saj.
Para tri dekadave, luftërat në Ballkan nisën me një konflikt dhjetë-ditor në kufijtë e Sllovenisë. Tani, është Sllovenia ajo që mban kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian. Agjenda e saj udhëheqëse përfshin një samit midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE -së këtë tetor. Ai rast duhet të nxisë një mendim të qartë dhe realist nga të gjitha palët. Alternativa për Ballkanin Perëndimor është një rrëshqitje e prapambetur drejt dhunës. Ka ndodhur edhe më parë. Tani po ndodh në Afganistan. Nuk duhet të ndodhë më në Evropë. /Albanianpost