Akuzat e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi për një pazar ndërmjet kryetarit të PD-së, Lulzim Basha si dhe kryeministrit Edi Rama për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut në këmbim të ndryshimit të Reformës Territoriale me shtimin e disa bashkive në hartë, kanë sjellë debate të forta në mbledhje e kryesisë së PD-së dhe grupit parlamentar.
Burime nga mbledhja e kryesisë e cila nisi në orën 19:00 dhe zgjati rreth dy orë, thanë se Bylykbashit i është kërkuar sqarim në lidhje me këto akuza dhe është pyetur nëse ka pasur komunikime me mazhorancën për këto çështje. Ndërkohë nga ana tjetër edhe Flamur Noka ka debatuar me Bashën, duke rikthyer çështjen Berisha në diskutimet e mbledhje së PD-së.
Deputetët e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë dalë hapur në mbështetje të ish-kreut të PD-së Sali Berisha, dhe janë shfaqur edhe krah tij në ‘Foltore’, dhe madje kanë ashpërsuar edhe qëndrimet kundrejt Bashës.