Kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha po i lëkundet karrigia edhe brenda kupolës, ku disa deputetë kanë dalë kundër tij. Tentativa për të kontrolluar së paku Grupin Parlamentar të PD-së ka izoluar kreun demokrat duke mbajtur mbledhje të vazhdueshme dhe “kërkuar llogari” që të mos shprehen publikisht. Përveç bazës kundërshtarët i janë shfaqur edhe në strukturat drejtuese.
Pas largimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka filluar edhe përçarja në Partinë Demokratike. Nëse debatet bëheshin brenda grupit, tashmë kanë filluar edhe publikisht qëndrimet e ashpra, duke publikuar në media edhe çfarë disktutohen në mbledhje me dyer të mbyllura. Ka qenë deputeti Flamur Noka, i cili është shprehur se Lulzim Basha i ka thënë “llum” bazës në mbledhjen e gruppit. Partia Demokratike ka dalë ditën e djeshme në një përgënjeshtrim për deputetin e saj, Flamur Noka duke thënë se janë deklarata të shtrëmbëruara.
Reagimi i Nokës
Në përfundim të mbledhjes të grupit parlamentar të PD, deputeti Flamur Noka kritikoi ashpër kryedemokratin Basha, ndërsa tha se konfirmoi fatin e karriges së tij dhe jo të partisë. Duke komentuar debatet në mbledhjen e kryesisë së grupit, mbledhur mbrëmjen e së dielës, Noka tha se Basha i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’. “Shqipëria nuk ka pasur në këto 30 vite demokraci një kundërshtar që t’i thotë “llum” anëtarëve të PD-së. Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’, Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, përveç Bashës”, tha Flamur Noka. Ai shtoi se i ka kërkuar Bashës që të marrë përgjegjësitë. “Mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi. Forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit okult të Bashës. Nëse do e donte sadopak këtë forcë, do jepte dorëheqjen për ta bashkuar këtë forcë, Basha mbrëmë konfirmoi se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD e demokratëve. Kjo gjë në një forcë demokratike, kurrë nuk mendohej se do ndodhte, Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij”, tha Noka. Sipas deputetit, përkrahës së aleternativës “Foltorja” të ish liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha, tha se ky i fundit është në një shans për të shpëtuar Partinë Demokratike. “Foltorja është zgjidhja, alternativa, foltorja e Sali Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD të bashkuar e shpëtuar nga rrokullima ku po e con z.Basha. Foltorja është shpresë dhe firmat po ecin shkëlqyer, baza e PD është për një parti të bashkuar kundër përcarjes që shkaktoi Basha”, u shpreh Noka. Deklaratat në mbledhjen e kryesisë së grupit të PD, kanë sjellë përplasje të forta mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe deputetit Flamur Noka.
Reagimi i Partisë Demokratike
Lidhur me deklaratat e deputetit demokrat, Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë zyrtare për të përgënjeshtruar deputetin e PD-së Flamur Noka, duke e akuzuar për shtrembërim të së vërtetës që është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë. “Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. Në reagim thuhet se militantët janë të nderuar në Partinë Demokratike. “Anëtarësia e PD, militantët e saj të nderuar kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama- Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij”, thuhet në reagimin e PD.
Reagimi i Bashës
Para se të plaste deklaratën Flamur Noka, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar vetëm për krizën energjitike që do përfshijë edhe Shqipërinë. Lideri demokrat, duke marrë shkas nga situata e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama se vendi do të goditet nga një krizë energjetike, tha se bëhet fjalë për një krizë korrupsioni. Sipas tij pak muaj më parë energjia u shit me 1/3 e çmimit që do të blihet sot, ndërsa shtoi se shumë zyrtarë duhet të ishin para drejtësisë. “Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës. Jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike por me një krizë korrupsioni. Ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pra e kanë shitur 60, 70 milionë euro, e do ta blejnë 200, 220 milionë euro”, tha Basha. Kryedemokrati tha se borxhi që do të merret do të nxirren nga xhepat e shqiptarëve. “Që ta blejnë do iu duhet të marrin borxh, borxhin do e nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsye pse është krizë korrupsioni. Në një vend normal, me institucione normale sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq, nga Çela i Durrësit etj, do duhej të ishin të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit fundjavor në Tiranë dhe të bëjnë detyrat e tyre, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Për ne do të vazhdojë kjo javë me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni po përkthehet në një krizë për familjet”, tha Basha.