Konferenca e Kryetarëve ka vendosur lejimin e pranisë së gazetarëve në sallën e Kuvendit duke nisur nga dita e enjte. “Lejimin e gazetarëve për të ndjekur fizikisht punimet e seancës plenare, në vendin e caktuar për ta galerinë e sipërme të sallës plenare; si dhe marrjes së planeve nga operatorët për një periudhë kohore deri në 5 minuta nga hapja e seancës”, thuhet në vendimin e miratuar. Gjithashtu pas diskutimeve në mbledhjen e ditës së djeshme, Konferenca e kryetarëve vendosi kalimin për shqyrtim në seancën plenare të ditës së enjte, të kërkesave të deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e Komisioneve Hetimore, si dhe rritjen e minutazhit të diskutimeve për çështjet e parashikuara në seancën e radhës. “Shtimi i minutazhit të diskutimit për çështjet e parashikuara në seancën plenare të radhës, me 60 minuta, kohë që do të ndahet në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend”, thuhet në vendim.