Një aksident i katërfishtë ka ndodhur sot në Berat, në aksin midis Urës së Varur dhe Urës së Goricës.
Nga të dhënat e para mësohet se një automjet tip “Fiat Stilo” që qarkullonte me shpejtësi, pasi ka goditur disa mjete që lëviznin në atë kohë në rrugë përpara tij, ka përfunduar i përplasur me betonin ndarës të rrugës.
Në aksidentin e katërfishtë janë përfshirë katër automjete, dy prej të cilave “Mercedes Benz”, njëra e tipit “Wolsvagen Golf” dhe një “Fiat Stilo”.
Si pasojë e aksidentit, fatmirësisht nuk ka pasur viktima, por vetëm disa të lënduar lehtë, ndërkohë që të katër mjetet kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë rrugore, që pasi kanë kryer këqyrjen e vendit të aksidentit kanë spostuar edhe mjetet e dëmtuara, duke bërë që të vijojë normalisht qarkullimi.
Sipas burimeve të policisë në vendngjarje mendohet se shkak për aksidentin e katërfishtë të jetë bërë shpejtësia e mjetit tip “Fiat Stilo” si dhe mosrespektimi i distancës së mjeteve në qarkullim.