Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas situatës së krijuar në Krujë, ku qindra qytetarë u helmuan nga uji i pijshëm. Në një prononcim për mediet, teksa u pyet nëse inagurimi i Ujësjellësit të ri në Krujë ishte vetëm për fushatë elektorale, kreu i qeverisë tha se tjetër gjë janë ndërtimet e ujësjellësve dhe tjetër gjë sigurimi që uji është në parametrat e duhura. Për këtë shtoi kreu i qeverisë ka përgjegjësinë Ujësjellësi dhe se në dijeninë e tij ka nisur një hetim administrativ për çështjen.
‘Sipas jush nuk duhej ndërtuar ujësjellësi i ri?! Të ndërtosh një sistem të ri ujësjellësi dhe ta çosh në shtëpi është një gjë dhe të sigurosh që uji është në parametrave të duhura është gjë tjetër. Qeveria ka bërë investimin, ndërmarrja ka detyrime të tjera. Mesa di unë është në hetim administrativ, nuk kanë pse lidhen të dyja. Është si të thuash se pas ndërtimit të një rruge të re janë rritur aksidentet nga shpejtësia. Duhet trajtuar me seriozitet por nuk është thelbi që mos të ndërtohet ujësjellësi.’– tha Rama.
Uji i pijshëm në Krujë, që helmoi mbi 500 qytetarë, rezultoi me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal. Report Tv siguroi rezultatin e analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ku bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës dhe më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.