Brenda 10 ditëve kryeministri Edi Rama ka thirrur sërish kryetarët e bashkive, por kësaj here jo për mbetjet urbane, por për ujësjellësin. Rama paralajmëroi reformim tek ujësjellësve dhe porositi kryebashkiakët që të marrin masa dhe për punonjësit që paguhen duke qenë jashtë shtetit.
Kreu i qeverisë Edi Rama paralajmëroi krerët e bashkive të marrin masat vetë përpara se pasqyrat e reformës të nxjerrin të “palara” që do të mbeten në historinë e humorit dhe satirës shqiptare. Gjatë një mbledhje publike me kryebashkiakët e vendit, kryeministri Edi Rama tha se në këto ndërmarrje ka persona të punësuar të cilët marrin rroga dhe nuk janë fare në Shqipëri. “Çfarë profile dhe kapacitetesh kanë ndërmarrjet e ujësjellësit. Sa janë në profilin e tyre punonjësit e ujësjellësve. Të merrni masat vetë përpara se këto pasqyra të tregojnë gjëra që do mbeten në historinë e humorit dhe satirës shqiptare. Me këtë tabelë që është këtu të para të humbjeve duke filluar nga Vlora dhe duke shkuar më poshtë, ju e dini vetë se çfarë bëni. Por aty përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë, nga drejtuesit deri tek menaxherët. Duhet të jetë e menjëhershme”, tha Rama. Sipas tij, rekrutimet për drejtuesit nuk duhet të bëhen më. “Do kërkojmë ndihmën e partnerëve tanë për të bërë rekrutimet serioze. Këto nuk janë mall i huaj të cilit prej 30 vitesh i bie me top duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët. Këto janë ndërmarrje dhe do funksionojnë sit ë tilla. Nuk janë zyra punësimi që nuk duan të punojnë dhe të marrin një rrogë dhe nuk janë fare në Shqipëri”, tha Rama. Kryeministri ka shpallur Bashkinë e Vlorës si një nga kampionet për humbjet në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve, duke atakuar kryebashkiakun Leli. “Po marr kampionen, bashkinë e Vlorës 78.9 % humbje. Ça domethënë kjo? Një kompani e falimentuar si piramidë që vazhdon merr para nga shteti, dhe si lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe jo një mall që mund të trajtohet si cdo mall tjetër”.
Guroret
Kompanitë e guroreve që shfrytëzojnë malet shqiptare do të kenë afat deri më 31 dhjetor të këtij viti që të zbatojnë marrëveshjet për kalendarin e pyllëzimit, në të kundërt të gjitha do të mbyllen dhe nuk do e ushtrojnë më aktivitetin. Ky ishte paralajmërimi që dha sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen me kryebashkiakët e vendit. Shefi i Qeverisë tha se kryebashkiakët duhet që të qëndrojnë larg kësaj pune, pasi “ato ndërhyrjet sociale mbajnë erë të keqe, për fat të keq”. “Guroreve ju dilni për zot ju kur ju thuhet që do mbylllen por çuditërisht nuk ka asnjë letër nga ana e bashkive në ministrinë e Mjedisit ku të thuhet që kjo kompani që po shfrytëson këtë gurore nuk ka mbjellë asnjë pemë, siç është marrëveshja. Nuk ka asnjë ngritje shqetësimi dhe sa i përket guroreve do ju lutesha shumë ti qëndroni larg kësaj pune, shumë larg se këtu që do jemi herës tjetër e kisha për donatorët se këtu herën tjetër do jenë kompanitë që shfrytëzojnë malet ndërsa ju si bashki duhet ti qëndroni larg shumë larg kësaj pune se ato ndërhyrjet sociale mbajnë erë të keqe, për fat të keq”, tha Rama. Sipas tij, shfrytëzuesit e guroreve duhet ta kuptojnë që ose do vijnë tani e do nënshkruajnë marrëveshjet e pyllëzimit dhe do të pranojnë kalendarin e pyllëzimit ose të gjitha do mbyllen pa kthim. “E ta harrojnë se mund të përdorin punonjësit që i trajtojnë si skllevër në ato gurore si mish për top për protesta edhe për të garantuar vazhdimin e saj barbarie. Duhet të vijnë e të njihen me sa thellë kanë hyrë në rrugën e paligjshmërisë, të marrin përsipër të pyllëzojnë sipas kontratës, jo jashtë saj e pastaj mund ta vazhdojnë punën e për këtë kanë afat deri më 31 dhjetor”, tha Rama.