Të majtët dhe të djathtët janë përplasur në komisionin e ligjeve sa i takon parave që do i kalojnë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Edhe pse nevojitet marrëveshje politike për votat në Parlament, mbi zgjatjen e afatit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, qeveria e ka bërë “fakt të kryer”, duke i përcaktuar KPK-së buxhetin e plotë.
Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve vijon të jetë temë e nxehtë në politikën shqiptare. Zgjatja e mandatit mbetet ende një dëshirë e mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, ndërsa vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u paraqit në Komisionin e Ligjeve duke kërkuar para për të gjithë vitin buxhetor 2022. Qëndrimi i tyre ngjalli reagimin e deputetit opozitar Oerd Bylykbashi. “Dëgjova zotin drejtor që përmendi fonde të parashikuara deri në fund të fundit, edhe këtë se kuptova. Kam dëgjuar ministren që thotë se ne paratë për vettingun ia kemi alokuar institucioneve aktuale, edhe këtë nuk e kuptova. Nëse do të zbatohet kushtetuta, në 1 janar institucionet kompetente duhet të fillojnë të bëhen gati”, u shpreh Oerd Bylykbashi. Kryetarja e KPK-së Pamela Qirko e justifikoi kërkesën për para me kërkesën që i kishin paraqitur Kuvendit për zgjatjen e afatit të punës së tyre, kërkesë e cila kërkon së paku 94 vota në parlament për t’u miratuar. “Kemi evidentuar pamundësinë për të përfunduar procesin e rivlerësimit brenda afateve. Për këtë arsye i jemi drejtuar këtij Kuvendi për zgjatjen e afatit. Pra kërkesa ka ardhur nga ne, gjithashtu e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar”, tha Pamela Qirko. Qëndrimi pro i Ministrisë së Financave për t’ia lënë fondet gati u ironizua nga deputeti opozitar. “Pavarësisht se kushtetuta nuk ua jep këtë gjë. Këtë e bazoni tek propozimet që keni bërë. Ministria e financave, është një nga rastet e radha tërhiqet me sukses, edhe pse të tjerët kanë kompetencën kushtetuese i bie përgjysmë”, tha Bylykbashi. Pjesë e seancave dëgjimore ishte edhe shkalla apeluese e vettingut ku kryetarja e saj Albana Shtylla, kërkoi shtim stafi për shqyrtimin e shpejtë të çështjeve. Partia Socialiste ka kërkuar që të bëhet zgjatja e vettingut, por Partia Demokratike ende nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë. Ajo ka kërkuar që zgjatja e vetingut të jetë sëbashku me vettingun e politikanëve dhe dy reformat në formën e një pakete kushtetuese. Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka përsëritur qëndrimin për vetingun e politikanëve, që sipas tij do të zgjidhë krizën ekonomike dhe korrupsionin në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se buxheti është në funksion të PPP-ve klienteliste dhe jo për familjet dhe sipërmarrësit. Një shtet i kapur nga korrupsioni nuk i shërben qytetarëve, por një pakice që gjallon në kurriz të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, ndaj edhe buxheti është në funksion të PPP-ve klienteliste, jo të familjeve dhe sipërmarrjeve të ndershme. Sipas Bashës, kjo krizë po varfëron qytetarët dhe po largon të rinjtë e të rejat nga vendi. “Kjo krizë korrupsioni po varfëron qytetarët, po largon të rinjtë e të rejat dhe po asfikson ekonominë. Zgjidhja është pastrimi i politikës nga të korruptuarit dhe politikanët e lidhur me krimin. Zgjidhja është vetingu në politikë!”