Trajneri Edy Reja kërkon që kuqezinjtë të japin maksimumin në Wembely përballë Anglisë, në ndeshjen e parafundit në grupin kualifikues të Botërorit 2022, pasi ka ende mundësi për tu kualifikuar.
“Të gjitha ndeshjet nisin për t’i fituar. E dimë që është vështirë. Është një skuadër me vlera, si individë dhe si ekip. Për atë që mendoj duhet të bëjmë një ndeshje niveli. Ne kemi ardhur këtu për tu paraqitur mirë dhe pse jo për të arritur një rezultat. Kemi ende mundësi kualifikimi dhe do të përpiqemi të fitojmë këtu edhe pse është e vështirë”.
Në konferencën për shtyp me trajnerin italian ishte edhe Sokol Cikalleshi, një nga sulmuesit më në formë të kuqezinjve. Sokol Cikalleshi kërkon që Shqipëria të përsërisë ndeshjet ndaj ekipeve të mëdha që kanë sjellë rezultate të mëdha.
“Do të jetë një nga ndeshjet më të vështira që kemi luajtur kohët e fundit dhe të mos themi vitet e fundit. Të përsërisim ato ndeshje ku kemi patur përballë ekipe me kualitet si Anglia. Të përsërisim shpirtin e garës që kemi treguar në ato raste”.
Cikalleshi deklaroi se është kthyer edhe më i fortë pasi kaloi Covid-in.
“Jam rikthyer më i fortë pas Covid-it, e kam treguar me ekipin ku luaj. Ndihem shumë mirë dhe si sulmues do të bëj më të mirën, pse jo të gjej edhe golin. Do të kem përballë një nga mbrojtjet më të mira në botë. Kjo është më e bukura. Rëndësi ka të shënojë ekipi, dhe nëse shënoj, të arrijmë diçka të mirë“, tha ai.
“Duhet të jemi taktikisht shumë të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë”, bën thirrje sulmuesi.