“Mami ngriti armën dhe qëlloi babin”, kjo do të mbetet përgjithmonë në mendjen e vajzës së Klodiana Celos, e cila është në burg dhe mjekut George Neos që po “lufton” për jetën në spital pas plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e djeshme në kryeqytetin grek, kur Klodiana, gruaja e re me origjinë shqiptare vendosi të qëllonte me breshëri plumbash, babain e fëmijës së saj në mes të rrugës, për t’i “dhënë fund” probleme lidhur me kujdestarinë.
Menjëherë pas tmerrit që pa me sy, pasi gjithçka ndodhi në praninë e saj, e vogla u dërgua në Mbrojtjen e të Miturve, ku shpalosi ndjesitë dhe ngjarjet që ka përjetuar vitet e fundit. Ajo tregoi për “luftën” që ka mbizotëruar mes prindërve të saj lidhur me kujdestarinë dhe sekondat përpara dhe pasi plumbat të depërtonin trupin e babait të saj 70-vjeçar.
Vajza e vogël prej disa vitesh jetonte me babain e saj dhe bashkëshorten e tij britanike, e cila duke folur për ngjarjen e rëndë, tha se gruaja shqiptare i ushtronte mjekun dhunë psikologjike.
“Është e sëmurë ajo grua. Ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nesh, ajo është e rrezikshme. Nuk i është lejuar asnjë kontakt me fëmijën, pasi nuk ishte mirë, vajza e vogël e kishte frikë. Nuk e donte si nënën e saj vajza”, tha ajo.