Në pjesën më të madhe të ish-vendeve komuniste, ndryshimin e bënë studentët. “Revolucioni i kadifenjtë” apo siç njihet ndryshe “Revolucioni i butë” ishte një tranzicion jo i dhunshëm i pushtetit, në atë çka aso kohe quhej Çekosllovaki. Ngjarjet rrodhën nga 17 nëntori deri më 29 dhjetor 1989. Protestat popullore kundër Qeverisë një-partiake, Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, përfshiu studentët por edhe qytetarë të tjerë të të gjitha moshave. Rezultati ishte fundi i regjimit 41-vjear i Partisë Komuniste.
Tronditjet e vitit 1968
Viti 1968 mbetet një nga më dinamikët në historinë moderne, shënuar nga tronditje gjeopolitike, që përfshinë vrasjet e Robert Kennedy dhe Martin Luter King, protestat studentore përqark botës dhe njeriun e parë që orbitoi hënën. Në po atë vit, Bashkimi Sovjetik drejtoi një grup shtetesh, që kishin nënshkruar Traktatin e Varshavës, drejt kufirit të Çekosllovakisë, për të shtypur një revoltë anti-komuniste në Pragë. Në dekadat që pasuan, regjimi komunist në Europën Lindore vazhdoi. Deri në vitet ’80, edhe në librat e historisë, nuk përmendej në asnjë moment, protesta e vitit 1968 apo Revolucioni i Kadifenjtë. Edhe të flisje mes miqsh, ishte tabu. Sipas dëshmive të mëvonshme, edhe kur të vegjlit pyesnin të rriturit, ata përgjigjeshin se një grup i ngushtë studentësh nisën një protestë të dhunshme pro-kapitaliste dhe sovjetikët, bashkë me aleatët, nuk ngurruan të nisnin menjëherë ofensivën për të përmbushur detyrimin ndërkombëtar për të ndihmuar shtetet vëllazërore socialiste, në një kohë që shumica e popullit donte paqe.
Ishte gushti i vitit 1968. Mijëra vetë, qytetarë çekosllovakë, dolën në protesta në rrugët e Pragës, duke kërkuar reforma politike dhe shtypjen e regjimit të egër të Partisë Komuniste, që në atëkohë drejtohej nga Milos Jakes. Demonstratat, të organizuara nga një grup studentësh, nisën në një kampus përkujtimor, atje ku 50 vjet më parë nazistët kishin vrarë studentë që protestonin kundër pushtimit gjerman të vendit por që shpejt u shndërrua në protestën më të madhe anti-komuniste.
Më 21 gusht 1968, 200 mijë trupa ushtarake sipas Traktaktit të famshëm të Varshavës, kryesisht sovjetikë por edhe polakë, hungarezë e bullgarë, zbritën në Pragë, në një përpjekje për të shtypur përfundimisht reformat dhe regjimin e Partisë Komuniste Çekosllovake, për të shtypur një herë e mirë censurën e për të liberalizuar lirinë e lëvizjes dhe udhëtimit.
“Pranvera” e Pragës
Pas 3 vitesh, historia u përsërit. Këtë herë, populli ishte më i bashkuar dhe fuqia e tyre këtë herë, ishte vështirë të thyhej. Më 17 nëntor, 500 mijë demonstrues u mblodhën në qendër të Pragës, për të kërkuar zgjedhje të lira dhe për ti dhënë fund regjimit komunist, në atë që po shndërrohej në protestën më të madhe në vend që prej gushtit 1968, në atë që njihet ende sot si “Pranvera e Pragës”.
Protesta e 17 nëntorit përfundoi me përplasje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve. Protestat vazhduan edhe ditët në vijim. Liderët opozitarë çekosllovakë u takuan, në ditën e 10-të të protestave, me kryeministrin e asaj kohe Ladislav Adamec. Delegacioni përbëhej nga 10 liderë të partive opozitare, mes tyre anëtarë të lëvizjes opozitare të sapo-formuar “Forumi Civil”, në krye të të cilës qëndronte Vaclav Havel si dhe përfaqësues të Lëvizjes Rinore të Partisë Komuniste.
Kryeministri Adamec nisi bisedimet me disidentin Havel dhe figurat e tjera të opozitës, në përpjekje për të frenuar krizën e përshkallëzuar politike, që po pushtonte Çekosllovakinë, gjithnjë e më shumë. Takimi ishte edhe përpjekje e autoriteteve për të parandaluar krizën dhe për të shtypur protestën e përgjithshme 2 orëshe, që ishte lajmëruar se do të mbahej më 27 nëntor.
Protestat
Në një gjest surprizues, kryeministri Adamec, iu bashkua Havel dhe Dubcek, ky i fundit hartues e drejtues i reformave të “Pranverës së Pragës”, në protestën opozitare, në të cilën morën pjesë rreth 400 mijë protestues. Punëtorë nga e gjithë Çekosllovakia iu bashkuan protestës, për të mbështetur kërkesat e opozitës, për t’i dhënë fund regjimit komunist, pas 10 ditësh protesta popullore.
Liderët komunistë të Çekosllovakisë u dakordësuan për tërhequr dorë nga pushteti, që e kishin centralizuar vetëm në duart e tyre dhe të formojnë një koalicion qeverisës me opozitën, përfshirë këtu komunistët dhe anëtarët e partive politike të pavarura.
Parlamenti çek votoi unanimisht për disa ndryshime të kushtetutës, që do t’i jepte fund monopolit të Partisë Komuniste mbi pushtetin. Parlamenti, me 350 anëtarë, Asambleja Federale, votoi për fshirjen nga kushtetuta të Artikullit 4, në të cilën sanksionohej se Partia Komuniste kishte “Rolin drejtues të vendit”.
Kryeministri Adamec dha dorëheqjen, pavarësisht përpjekjeve për të formuar një qeveri të re, të pranueshme nga opozita pro-demokratike çekosllovake. Kryeministri e braktisi takimin me Frontin Kombëtar, një grup organizatash të pavarura parlamentare, përgjatë negociatave për të zgjedhur qeverinë e re. Qeveria e re do të drejtohej nga Marian Calfa, që u betua përpara presidentit Husak, vetëm pak ditë përpara se ky i fundit të dorëhiqej nga posti. Betimi i kryeministrit të ri, shënoi fundin e një revolucioni paqësor, të drejtuar nga Vaclav Havel, i cili më herët kishte vuajtur dënimin me 5 vjet burg, për kundërshtim të komunizmit.
“Shpirti i Revolucionit”
Kështu, viti 1989 u bë viti i mrekullive politike, viti i kthesave të mëdha në kampet socialiste. Socializmi u përmbys fillimisht në periferitë e kampit socialist, në Europën Lindore dhe u zhvendos më pas në qendër, Bashkimin Sovjetik. Afërsia me perëndimin dhe kontrastet në zhvillimin ekonomik, e sidomos në nivelin e jetesës, u bënë faktorë nxitës për miliona punonjës, që dolën në rrugë dhe kërkuan ndryshimin e realitetit ekzistues. Kështu, me gjithë praninë ushtarake e sovjetike, në fund të viteve ’60 dhe gjatë viteve ’70-’80, dalëngadalë, fillimisht me frikë e më pas haptazi, lindën dhe u rritën forcat opozitare, të cilat sa më tepër thellohej kriza e regjimit, aq më aktive bëheshin në paraqitjen e ideve dhe platformave reformiste. Kudo në vendet e Europës u krijua bindja, gati në të gjitha shtresat e popullsisë, se jeta dhe gjendja para luftës, ishin më të bukura e me standard më të lartë. Kudo po kërkohej largimi i udhëheqësve të vjetër konservatorë, rritja e pagave dhe shpërndarja e kooperativave që e kishin rrënuar jetën në fshat. Intelektualët kërkonin liri krijuese dhe shtypjen e censurës.
Nga mesi i viteve ’80, kur u duk qartë se vetë sovjetikët, që ishin mbrojtësit kryesore të sistemit socialist, po i braktisnin parimet e mëparshme, liderë në disa vende si Poloni, Hungari e Bullgari, nisën rrugën e kompromiseve me reformatorët. Ata dhanë dorëheqjen dhe synonin një tranzicion paqësor për vendet e tyre, ndërsa në Gjermani dhe Çekosllovaki, liderët partiakë u treguan më këmbëngulës, derisa panë se pas protestave, pjesë e revolucionit të kadifenjtë, me popullin u bashkua edhe ushtria e policia.