Nga Leonard Veizi
Muri sovjetik i Berlinit kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”. Kjo ndodhte sepse Shqipëria ishte fort e izoluar për të kuptuar në kohë reale se çfarë bëhej në pjesën tjetër të botës, e për më tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste të instaluara më së shumti pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëheshin në mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Slogani “Lindja është e kuqe” kishte pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë. Për më tepër, në Azi po ndërmerreshin reforma të përshpejtuara. E megjithëse me vonesë në ngritjen e revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e duhur për t’ju bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë shpejtësinë për nga kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e privime të pakuptimta. Gjithçka po lëvizte zhurmshëm. Ndërsa, ata të cilët e kuptuan se çdo gjë dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të parë që iniciuan lëvizjet për demokraci. Studentët e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Ata e gjetën pretekstin për t’u ngritur në një revoltë të zjarrtë. Ca kushte ekonomike më të mira në ambientet rinore të Qytetit Studenti, ku socializmi përgatiste kuadrot e rinj për “frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se një natë e tillë që gjysma e Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në një manifestim solidarizues duke hedhur pa frikë parulla e kundërparulla që dikur cilësoheshin reaksionare. Kordoni i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma jeshile e mburoja plastike, nuk mund t’i bënin më ballë uraganit të saponisur…
…Rëndom ndodh që historinë e njohim jo ashtu si ka ndodhur realisht. Por kur vjen puna për Lëvizjen e Dhjetorit ’90 gjenden dëshmitarë që nuk të lenë shtigje për manipulim faktesh. Ky dossier është përgatitur në bazë të dëshmive të disa prej aktivistëve kryesorë në lëvizjen e dhjetorit, dhënë për gazetarin Leonard Veizi. Ish studentët: Afrim Krasniqi, Arian Manahasa dhe Bislim Ahmeti.
Afrim Krasniqi
Dhjetori 1990 ishte përmbledhje e gjithçkaje që ndodhi atë vit. Në fillim të vitit pati raste të protestës politike në Shkodër dhe më pas në Kavajë, pati vizitë në Tiranë të Peres De Kuelar, pati rikthim të disa institucioneve fetare, pati ikje masive në ambasadat e huaja, pati zhvillime në gjithë rajonin, pati takimin e shefit të regjimit me intelektualët, kriza e thellë ekonomike, dhe në fund edhe deklaratën politike të shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjitha së bashku ishin pjesë e një klime ndryshimi. Në ambientet universitare kishte rritje të dukshme të pakënaqësisë dhe ndjenjës së protestës, nuk kishte më frikë për kritika ndaj regjimit dhe eksponentëve të tij kryesor, pakkush besonte ende në aftësinë e regjimit për ndryshim dhe se nënshtrimi letargjik i shoqërisë shihej si e papranueshme. Protesta nisi dukshëm në ditët e para të dhjetorit, fillimisht me thirrje politike dhe revoltat e ballkoneve dhe më pas, në mbrëmjen e 8 dhjetorit me thirrje dhe nismë konkrete për protestë të organizuar. Protesta e datës 8 vijoi disa orë, deri në mesnatë, dhe ishte një luftë e ashpër nervash dhe force midis studentëve dhe forcave më të zgjedhura policore dhe politike të regjimit.
Bislim Ahmetaj
Revolta startoi si kryqëzim i mungesave të pafund të kushteve të jetesës. Qasjet e studenteve kanë qenë të ndryshme por që kryqëzoheshin dhe gjenin nja emërues të përbashkët: kështu nuk vazhdohet më tutje, ai regjim duhej rrezuar me çdo çmim. E vërtetë është që shumica jonë nuk e dinte se çdo të ndodhte më pas. Një shoqëri që ishte brejtur nga skamja dhe mjerimi, me dyqane të boshatisura ku nxinte fotografia e diktatorit si i vetmja “orendi” që nuk shitej edhe për faktin se askush s’kishte më uri për ta blerë. Por lufta për mbijetesë nuk e kishte shuar përfundimisht edhe ëndrrën dhe shpresën për liri. Shqipëria ishte vendi me liritë politike e njerëzore më të dhunuara në planet. Kjo ishte pak a shumë panorama e përgjithshme në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të mëdha apo të vogla po e njëjta gjendje errësire zotëronte edhe nëpër fshatrat e Shqipërisë.
Arian Manahasa
Ajo që shtyu dhjetëra e qindra moshatare të mij në atë kohë, që bashkoi një popull të tërë, dëshira për të folur i lirë, për të jetuar i lirë, për të rindërtuar dhe trashëguar një dinjitet njerëzor të nëpërkëmbur ndër vite. Nga ballkoni i shtëpisë time tek një nga rrugicat e Rrugës se Kavajës, dëgjoheshin qartë thirrjet që vinin nga Qyteti Studenti ku sapo kish nisur revolta. Ishte e pamundur për një si unë të mos u vidhesha prindërve e mos dilja atë natë nga shtëpia për t’u bashkuar me shokët e mi. Fusha e sportit e qytetit studenti atë mëngjes ishte shndërruar në “agora”-në më të bukur dhe më emocionuese që kam parë e jetuar. Fjalët lapidar të Ardian Klosit, i panjohur në atë kohë, kur ngriti një libreze personale kursimesh në ajër dhe thirri “e fal për JU”, fleta e daktilografuar me 11 kërkesat e studenteve që bridhte dorë më dorë për t’u lexuar më pas me zë të lartë para tyre, fakti që fjalë të tilla thuheshin publikisht dhe me entuziazëm për herë të parë… janë elemente që mjaftojnë për të përshkruar gjendjen shpirtërore të studenteve dhe situatën e atyre ditëve.
***
Në Qytetin Studenti mbërritën zyrtarët e lartë të shtetit, ministra dhe rektorë të cilët ishin të shoqëruar dhe nga forcat e policisë për “të bindur” studentët të tërheqeshin. Pasi dështuan, atë natë dhe të nesërmen në mesditë ata bënë atë që dinin më mirë të bënin, përdorën dhunën, kërcënimin dhe shantazhin. Një gjë e tillë shkaktori indinjatë të madhe. Të nesërmen ata dolën në qendër të Tiranës. Këtë herë studentët reaguan siç nuk ishte reaguar asnjëherë më parë, me vendosmëri për të çuar përpara projektin e tyre. Në datat 9, 10 dhe 11 dhjetor, sheshi që sot quhet “Demokracia”, u bë një arenë shfaqjeje, ku studentët, këndonin e hidhnin parulla përçmuese ndaj politikave të pushtetit. Me mijëra qytetarë të Tiranës u vunë në mbrojtje të studentëve, u solidarizua me ta, duke brohoritur “Liri Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe duke ngritur dy gishtat lart si simbol i fitores.
Ndërkohë, Azem Hajdari pati një rol kyç në lëvizjen studentore të vitit 1990
-Duke folur për këtë rol Afrim Krasniqi është shprehur: “Azemi ka meritën sepse iu bashkua vetëm disa orë më vonë Lëvizjes Studentore dhe më pas u identifikua si drejtuesi kryesor i saj. Ai rrezikoi shumë, jetën dhe familjen, por arriti shumë, sepse u bë simbol publik për zhvillimet e atyre ditëve dhe të mëvonshme”.
– Bislim Ahmetaj ka thënë: “Roli i Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore ishte roli i liderit absolut, askush se vuri në dyshim rolin e tij përgjatë atyre ditëve. Atij s’ia dha kush atë rol e fitoj prej guximit, moshës, energjive, fjalimeve të zjarrta, besimit që ngjallnin fjalët e tij të thjeshta por të thëna me shpirt dhe kurajë që bënte diferencë me të tjerët”.
-Ndërsa Arian Manahasa tha: “Ju pyesni se cili ishte roli i Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore? Shumë e thjeshte përgjigja … roli i një lideri. Siç dihet botërisht lider lind, nuk bëhesh. Edhe Azem Hajdari kish lindur lider qe në çastin kur thirri me zë të lartë gatishmërinë për te sakrifikuar veten e familjen për kauzën e studenteve e deri kur mbylli sytë ai ishte një figurë tejet e spikatur dhe me vlera të patjetërsueshme.”.
***
Në 11 dhjetor 1990 u komunikua se Ramiz Alia priste një përfaqësi prej 30 vetash në takim. Çdo fakultet duhet të zgjidhte përfaqësuesin e vet. Autobusi me 30 të deleguarit u nis në orën 6.00 të mbrëmjes. Ja si kujtohet ky çast nga ish studentët dhjetoristë:
Arian Manahasa
Sot kujtoj me bindje se edhe pse ata që u zgjodhën, midis studente e pedagogë, ishin ndofta të panjohur me njëri – tjetrin, për këdo që do t’i vështronte nga larg, do te dukeshin sikur jo vetëm njiheshin prej kohësh por ishin tejet të lidhur e të sinkronizuar në atë që po bënin. Ishte një ideal që i amalgamonte. Përcjellja e autobusit me shokët dhe pedagogët tanë drejt takimit me Alinë ishte përsëri një nga ato çaste që jetohen vetëm një herë. Një entuziazëm i shfrenuar përzier me një ndjenje të natyrshme frike e mosbesimi tek fitorja ndaj regjimit ishin elementet skenografike të asaj nate kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë një grup djemsh e vajzash me moshë mesatare 22 vjeç, u vunë përballë njërës nga diktaturat më të egra të botës. Nuk besoj se është e rëndësishme të komentohen hollësitë e atij takimi. Askush nuk mund të zbehë guximin e fjalëve të Azem Hajdarit ne atë takim. Askush s’mund të kritikojë urtësinë e logjikën e Shenasi Ramës, zgjuarsinë e Arben Likës, ironinë e Blendi Gonxhes, shpërthimin e Mimoza Ferrës, vendosmërinë e Arben Demetit etj. etj. ajo që u tha përballë Alisë, ajo që u diskutua e u brohorit gjatë dhe pas kthimit të atyre djemve nga takimi dhe ajo që ndodhi në orët në vijim kishte vetëm një emër… Shqipëria u ngrit, djemtë e rinj të saj dinin se ç’po bënin dhe ishin gati për sakrificë sublime për ta kryer deri në fund atë që kishin nisur.
Bislim Ahmetaj
Çdo fakultet zgjidhte përfaqësuesit e vet, nga Instituti i Lartë Bujqësor erdhëm për t’ju bashkuar dërgatës që do të shkonte tek Ramiz Alia pesë përfaqësues dy pedagog dhe tre studentë njëri prej tyre isha edhe unë. Ne e zumë autobusin duke u nisur dhe numri ishte plotësuar kështu që thjeshtë pritëm me ankth, entuziazëm dhe frikë kthimin e tyre. Përzgjedhja e përfaqësuesve që do takoheshin me diktatorin Alia për të parashtruar kërkesat e studentëve ka shënuar edhe procesin e parë zgjedhor demokratik.
***
Vetëm dy orë më vonë nga nisja e këtij takimi Televizioni Shqiptar do të komunikonte deklarimin e pluralizmit politik. Drejtimi i shtetit nga vetëm një parti kishte marrë fund.