Refleksione dhe dëshmi nga diplomati Piro Vito
Nga Nesip Kaçi*
Miku dhe shoku im i vjetër, që nga shkolla e mesme në Gjirokastër, i nderuari Piro Vito, që ka kryer disa detyra në Ministrinë e Jashtme, ku ka ndjekur mjaft probleme që kemi pasur me Greqinë, ka marrë pjesë në disa sesione të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare, ambasador i Shqipërisë në Rumani nga prilli 1989 deri në korrik 1992, periudhë kjo e ngjeshur me ngjarje të përmbysjes së sistemit politik në vendet e Evropës Lindore dhe zhvillimeve dramatike të ngjarjeve në Rumani ,që çuan në përmbysjen e rregjimit të Çausheskut në dhjetor të 1989. Diplomati bukur i njohur, Piro Vito, këtë vit, më 2021, porsa botoi librin e tij: “Më mirë vonë se kurrë”, (Refleksione) dhe në kapitullin “ Disa aspekte të marrëdhënieve me Greqinë,” në faqen 235, ai, midis së tjerash, shkruan se në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë ende mjaft probleme qëndrojnë në hava dhe po zvarriten prej disa dekadash, me shpresë se me kalimin e kohës ato do të harrohen. Një problem i tillë është ai që ka të bëjë me të ashtuquajturin “ligji i luftës”, i cili është sa qesharak, aq edhe anakronik, nënvizon diplomati Piro Vito. Është qesharak, sepse një shtet i pushtuar (siç ka qënë Shqipëria), nuk mund të sulmojë një shtet tjetër. Për heqjen e ligjit të luftës, të asaj pengese artificiale, të sajuar qëllimisht mbi treçerek shekulli më parë, u angazhua stafi i ambasadës shqiptare në Athinë, në krye të të cilit u emërua një personalitet me përvojë, siç ishte Ksenofon Nushi.
Të gjithë e dimë se qeveria greke më 28 gusht 1987 vendosi abrogimin e “ligjit të luftës”, që u përshëndet nga populli shqiptar. Tre muaj më pas, në nëntor të atij viti, vizitoi Shqipërinë ministri i jashtëm i Greqisë, Karolos Papulias, që shoqërohej nga disa personalitete , si Ministrja e Kulturës, Melina Mërkuri etj. Në atë vizitë u ra dakord të përfundoheshin disa marrëveshje, midis të cilave, ajo e riparimit të piramidave kufitare, që u zvarrit nga pala greke me justifikime pabaza. Dy dekada më vonë, pa përfunduar problemet që kishin të bënin me kufirin tokësor, qeveria greke kërkoi të zhvilloheshin bisedime për zgjidhjen e problemeve të ndarjes së ujrave detare midis dy vendeve.Tani lind pyetja, si pranoi qeveria shqiptare, që pa përfunduar problemet e riparimit të piramidave kufitare, që kishin të bënin me kufirin tokësor, të hidheshim me vrap te bisedimet për zgjidhjen e problemeve të ndarjes së ujrave detare, ku dhe atje u bë një mish-mash, që s’ka perëndi që e merr vesh. Kësaj i shkon për shtati ajo kënga popullore “O ju ministrat tanë, Harram e paçi paranë”.
“Mjeshtër i Madh” në diplomaci, diplomat karriere dhe studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shaban Murati, në librin e tij: “Çështja e paqënë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, botuar në vitin 2018, shkruan që në faqen e parë: “Çështja e detit përbën një nga dosjet më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë”. Diplomati dhe publicisti i njohur Shaban Murati shkruan se toleranca dhe inferioriteti i qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, në këtë rast, për të ofruar madje më tepër nga sa kërkonin grekët në cështjen e detit, duhet të ketë nxitur qeverinë dhe diplomacinë greke të avancojnë në pretendimet për një rektifikim edhe të kufijve tokësorë. Nuk dihet dhe nuk ka informaion nga qeveria shqiptare në arkivin e MPJ për çështjet e trajtuara dhe për detajet e bisedimeve kokë më kokë të zhvilluara midis ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe ish-kryeministrit grek Kostas Karamanlis, në zyrën e kryetarit të qeverisë shqiptare. Ajo që dihet deri tani është vetëm përcaktimi rrënqethës i kryeministrit grek se marrëveshja përveç zonës detare, përfshin edhe “përvijimin e vijës kontinentale” midis dy vendeve.
(Në mediat televizive të Shqipërisë, para një jave u tha se Greqia, dhe më konkretisht, presidentja greke, ka firmosur një vendim që ”ligji i luftës” të mos hiqet, por të qëndrojë në fuqi edhe dhjetë vjet të tjera. Kjo bëhet se po hoqi ligjin e luftës, Gjykata Ndërkombëtare e detyron Greqinë t’u japë çamëve të drejtat e tyre për pasuritë që kanë në Çamëri dhe të kenë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre në Greqi. N.K.)
Diplomati i mirënjohur Piro Vito, ish-ambasador në Rumani, shkruan kështu: “…dëshiroj të shpreh mendimin se grekët mund t’a heqin ose të mbajnë në fuqi “ligjin e luftës” sa herë që të duan dhe kur të duan, duke u sjellë në mënyrë të tillë, sa e kam të vështirë të gjej fjalën më të përshtatshme për ta shprehur. Ndofta kjo ishte arsyeja që, sipas mendimit tim, e nxiti ish-kryeministrin e Shqipërisë Aleksandër Meksi, të bënte deklaratën në të cilën ai, duke iu përgjigjur deklaratës të ish-kryeministrit grek Kostandin Micotaqis më 14 korrik 1993 në Athinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë: Ne, theksoi zoti Meksi, iu themi dhe iu përgjigjemi me dëshirën për t’i zgjidhur problemet midis dy vendeve në rrugën bilaterale, por nëqoftëse palës greke i mungon ky vullnet i mirë,… ne si shtet jemi gati të shkojmë para kësaj gjykate për të kërkuar të drejtën e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet e veta në Greqi, të drejtat e minoritetit çam që jeton në Greqi, që u takojnë në mënyrë të ligjshme. Qysh në atë kohë e vlerësova pozitivisht këtë deklaratë, e cila sensibilizoi tepër opinionin grek që e kishte të qartë të vërtetën e pamohueshme, se çështja e pronave ka qënë shkaku kryesor që marrëdhëniet midis dy vendeve mbetën të ngrira për një kohë të gjatë. Kjo ide më trazoi më tepër tani kur çështja e pronave, nënvizon diplomati Piro Vito, mund të zgjidhet përfundimisht nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Në periudhën që pasoi, marrjen e vendimit për abrogimin e “ligjit të luftës”, u vu re, shkruan diplomati Piro Vito, se instituçionet greke e “liruan dorën” për dhënien e lejeve të zhbllokimit të disa pasurive të shtetasve shqiptarë. Nëpërmjet përçapjeve që u bënë nga ana e shoqërisë Komisionare Tiranë, u zhbllokuan disa pasuri vlera e të cilave nuk i kalonte dy deri tre million dollarë, kurse qytetarëve shqiptarë që shkonin në Athinë për tërheqjen e depozitave që kishin në bankat greke, u lejoheshin deri në 200.000 dhrahmi në muaj. Me pasuritë shqiptare në Greqi u bënë spekullime të shumta nga avokatët, sekserët dhe gjithfarë njerëzish, sikur të ishin mall pa zot. Në vijim u zhvilluan bisedime midis ministrave të jashtëm të të dy vendeve, në të cilat u trajtua dhe problemi i pasurive dhe u ra dakord që të trajtoheshin njëherazi kërkesat e secilës palë, sëbashku me pretendimet financiare që eventualisht do të ekzistonin. U la që bisedimet do të vazhdonin pas përfundimit të fushatës së zgjedhjeve në Greqi, por ato u shtynë për shkak të ndërlikimit të situatës politike në përgjithësi, sidomos në Evropën Lindore, gjatë vitit 1989. Pas përmbysjes së sistemit politik në Shqipëri, zëvendësimit të monizmit me pluralizmin partiak, ndryshoi edhe gama e problemeve që u përfshinë në agjendën e diskutimeve mbi zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Në atë kuadër u përfshi edhe problem i kthimit të pronave shqiptarëve në Greqi dhe ato që lidheshin me të drejtat e popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë.
Është fakt që nuk mund të mohohet nga askush se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, populli dhe shteti shqiptar bënë përpjekje të mëdha dhe shpenzime jo të pakta për shpëtimin dhe sistemimin e vëllezërve të tyre të Çamërisë, e asaj popullsie të pambrojtur dhe të pafajshme që u masakrua në mënyrën më çnjerëzore, u dëbua me dhunë, me lecka në krahë, nga vatrat e veta dhe u vendos kudo në Shqipëri, nga Saranda në Shkodër dhe e gjithë kjo , ndodhi në një kohë kur Shqipëria ishte djegur, zhuritur e shkatëruar nga pushtuesit nazifashistë.
Dihet botërisht se pushtimi dhe aneksimi i Çamërisë nga Greqia ka ndodhur që në muajin mars 1913 dhe se kjo është një padrejtësi e madhe historike, e cila kulmoi me pastrimin etnik të 27 qershorit 1944, që është dhe dita e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, kur 25 mijë çamë myslimanë i përzunë nga vendlindja, nga vatrat e tyre dhe i larguan me forcën e armëve, duke i vrarë e therrur në mënyrën më mizore, ku u shfaros 20 përqind e popullit të Çamërisë dhe 80 përqind e tij u dëbua me dhunë në Shqipëri e Turqi. Çështja çame është çështje drejtësie dhe dinjiteti. Greqia nuk mund të mohojë historinë që ka ndodhur 70 vjet më parë, sepse çamët, që i janë nënështruar genocidit dhe masakrave, janë ende gjallë në Shqipëri. Veç kësaj, por trajtimi dhe zgjidhja e problemit çam është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, anëtare e së cilës është dhe Shqipëria.
Përpjekjet e shumta që u bënë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke ndër vite, thekson diplomati Piro Vito, u pasqyruan në kontaktet, shkëmbimet dhe vizitat e ndërsjellëta të zyrtarëve të të dy vendeve. Nga disa kontakte, që kam pasur me diplomatët grekë në Bukuresht, të cilët i çmoja për aftësinë dhe shkathtësinë e tyre, po ndalem në njerin prej tyre. Biseda kishte të bënte me ligjin e luftës dhe pronat e shqiptarëve në Greqi. Ambasadori grek Linardos më pyeti për gjendjen në zonat e minoritetit grek në Shqipëri. I theksova se jam nga një krahinë që ndodhet pranë minoritetit dhe pretendoj se e njoh mirë gjendjen e tij. Mund të flas me bindje se në ato zona, niveli i jetës është rritur në mënyrë të ndjeshme në krahasim me atë që ka qënë disa dekada më parë. Kam shumë shokë nga ato krahina, sepse kam mbaruar shkollën e mesme në Gjirokastër dhe më pas në universitetin e Tiranës. Mjaft prej tyre nga Vurgu i Delvinës, nga Dropulli ose Pogoni kanë dalë me rezultate të larta dhe punojnë mjekë, inxhinierë, mësues, jurist dhe pedagogë në të gjitha anët e vendit ose drejtojnë sektorë të rëndësishëm të punës dhe jetës së vendit. Prej vitesh është ngritur dhe hapur një shkollë e mesme në gjuhën greke, që përgatit mësues në gjuhën greke për ato komuna, çdo fshat ka shkolla fillore dhe tetëvjeçare në gjuhën greke dhe pas këtyre fjalëve shtova “ Nuk e kuptoj përse nuk mbahet një qëndrim analog ndaj shqiptarëve në krahinën e Çamërisë”. Sikur të mos mjaftonte gjenocidi i egër që ushtruan ndaj tyre qarqet nacional-shoviniste të kohës, ata që i shpëtuan vdekjes dhe mjaft shqiptarë të tjerë kanë në Greqi pronat që nuk po u kthehen. Në shkollat dhe universitetet greke nxënësit dhe studentët nuk mësojnë të vërtetën e atyre që kanë ndodhur, ajo deformohet. Përsa i përket problemit të pronave vura në dukje, se nuk është fjala për disa shtëpi, pallate, dyqane apo hotele, por edhe për 6000 hektarë tokë bujqësore, mijëra hektarë pyje, kullota dhe vreshta. Këtyre pasurive të patundshme u duhen shtuar depozitat bankare me shuma të konsiderueshme, me qindra pensione, përveç miliona dollarëve që burojnë nga shfrytëzimi i paligjshëm i këtyre pasurive prej dekadash të tëra.
Në vijim i kujtova se qeveria e PASOK-ut, nëpërmjet një akti administrativ shpalli heqjen e ligjit absurd të “gjëndjes së luftës” me Shqipërinë. Ky vendim u njoftua nga agjensia ANA, ndërsa çështja e pasurive do zgjidhej me anën e një marrëveshje midis dy qeverive dhe, deri atëherë, do të ishin në gjëndje konservative. Ky vendim i qeverisë greke nuk u botua as në shtyp, as në gazetën zyrtare. Nuk ka asnjë bazë juridike, zoti ambassador, që Greqia t’i diferencojë shtetasit shqiptarë nga shtetasit e tjerë të huaj, duke mos u njohur atyre të drejtat civile në mënyrë të barabartë. Qeveria e zotit Papandreu, që mori vendimin për heqjen e ligjit absurd të gjendjes së luftës, e ndodhur nën presion, nuk zbatoi as procedurën formale të botimit të tij. Sipas mendimit tonë, kjo ishte më tepër se mungesë serioziteti, një dredhi që shërbeu jo vetëm të evitonte përplasjet në planin bilateral, por edhe reagimet e qarqeve të brendshme dhe aleatëve të jashtëm. Ajo u linte shteg qeverive të ardhshme, që ta shkarkonin veten nga përgjegjësitë për mohimin e atij vendimi, duke u justifikuar me përdorimin e “argumentit” se organi kompetent për abrogimin e një ligji të marrë nga parlamenti dhe të një dekreti të ish-mbretit, nuk është qeveria. Ambasadori grek Linardos, më hodhi degë më degë, duke justifikuar qëndrimet e vendit të tij. U ndava me të pasi i bëra pyetjen : Deri kur mendoni se mund të vazhdohet në këtë rrugë?!
Duhet thënë pa hezitim se qeveritë greke, pavarësisht nga ngjyrat, përpiqen të ruajnë marrëdhënie asimetrike në raportet midis dy shteteve dhe kanë ndjekur dhe ndjekin një politikë hipokrite ndaj shtetit shqiptar. Shembull bindës për këtë janë spërdredhjet që bëjnë qeveritë greke me ligjin e luftës, kanë 34 vjet që po na hedhin degë më degë, e heqim sot dhe e heqim mot. Ne i kuptojmë këto hile të tyre. Pse të mos e themi hapur që Greqia në këto qëndrime është e inkurajuar nga toleranca e treguar në raste te vecanta nga pala shqiptare dhe paaftësia profesionale dhe intelektuale e ndonjë ministri tonë të jashtëm. Me këto ata duan të varrosin çështjen çame, por më kot e kanë. Në marrëdhëniet me Greqinë shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë kujdes dhe të mos i hajë dhelpëritë greke, por tja thotë hapur se kështu nuk ecet. Dielli për ne del, edhe po nuk na deshi Greqia. Shteti grek arrin deri atje sa të deklarojë se çështja çame nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar, bile shkon deri në absurd dhe kulmon me atë që Çamëria të mos thirret më me emërin e saj të lashtë, por të të thirret “territore shqiptare”. Kjo, qofsha gabim, por më duket se qeverisë grekei është rritur ca mëndia me atë që bëri me Maqedoninë, që arriti t’i ndrojë dhe emërin. Po prit o beg se ka hendek. Kërkesat dhe protestat tona ndaj padrejtësive që bën Greqia ndaj problemit çam i duhen drejtuar më me forcë Aleatëve të Mëdhenj, Kombeve të Bashkuara, si dhe aleatëve tanë strategjikë, duke kërkuar prej tyre drejtësi dhe vetëm drejtësi.
*Publicist dhe Diplomat