SHBA po merr masa për ata që fshehin pasurinë dhe pastrojnë të ardhurat. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka shkruar në shqip atë që u fol nga presidenti Biden. Ajo ka shkruar se korrupsioni është kancer, ndërsa njoftimin e ka quajtur “lajme nga Shtëpia e Bardhë”.
Muaji dhjetor dhe janar do të jenë muajt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin për fatin e të korruptuarve në Shqipëri. Presidenti i Amerikës Jon Biden tha se në muajin janar do të ketë sanksione për njerëz të cilët janë përfshirë në korrupsion dhe në minimin e demokracisë. Edhe pse nuk foli konkretisht për vendet dhe individë, ky mesazh është “përkthyer në shqip” nga ambasadorja amerikane e akredituar në Tiranë Yuri Kim. Ajo ka bërë të ditur se SHBA po ndërmerr hapa shtesë për të parandaluar korrupsionin. Diplomatja amerikane shkruan në “Tëitter”, se korrupsioni është kancer dhe se autoritetet në SHBA po punojnë për të luftuar financimin e paligjshëm të personave të korruptuar. “Korrupsioni është kancer. SHBA po ndërmerr hapa shtesë për të parandaluar korrupsionin, për të luftuar financimin e paligjshëm, për të mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe për të forcuar kapacitetin për të ekspozuar aktet korruptive. Ja lajmet më të fundit nga Shtëpia e Bardhë”, shkruan ambasadorja e SHBA-ve.
Strategjia në 5 shtylla
Ambasadorja Yuri Kim ka zbardhur në faqen e saj të “Facebook” strategjinë e qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin nën pesë shtylla që përforcojnë njëra-tjetrën. Ajo vë theks të veçantë në kuptimin më të mirë dhe përgjigjen ndaj dimensioneve transnacionale të kërcënimit, duke përfshirë marrjen e hapave shtesë për të reduktuar aftësinë e aktorëve të korruptuar për të përdorur sistemet financiare të SHBA dhe ndërkombëtare për të fshehur pasuritë dhe për të pastruar të ardhurat e akteve korruptive.Sipas saj, shtylla e parë është modernizimi, koordinimi dhe dhënia e burimeve për përpjekjeve të qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh lider në luftën globale kundër korrupsionit, trajtimi i kërcënimit si një imperativ i sigurisë kombëtare kërkon një qasje të përditësuar. Shtylla e dytë sipas stretegjisë amerikane është frenimi i financave të paligjshme ku aktorët e korruptuar dhe lehtësuesit e tyre mbështeten në dobësitë në Shtetet e Bashkuara dhe sistemet financiare ndërkombëtare për të errësuar pronësinë e aseteve dhe për të pastruar të ardhurat e aktiviteteve të tyre të paligjshme. Shtylla e tretë është mbajtja përgjegjëse e aktorëve të korruptuar. “Ndërsa qeveria e SHBA-së mbulon boshllëqet rregullatore dhe punon me partnerët dhe aleatët për të bërë të njëjtën gjë, ne gjithashtu do të mbajmë përgjegjës ata që zgjedhin të përfshihen në korrupsion”, thuhet në shkrimin ee publikuar nga Kim. Shtylla e katër ka të bëjë me ruajtjen dhe forcimin e arkitekturës shumëpalëshe kundër korrupsionit, ku sipas saj, Qeveria e SHBA-së është e përkushtuar të forcojë arkitekturën ndërkombëtare kundër korrupsionit, e cila përfshin nisma, angazhime dhe standarde shumëpalëshe që i shtyjnë vendet të bëjnë përmirësime reale në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa në shtyllën e pestë dhe të fundit është përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i burimeve të ndihmës së huaj për të arritur qëllimet e politikës kundër korrupsionit. “Angazhimi diplomatik dhe ndihma e huaj, duke përfshirë ndihmën e sigurisë, janë jetike për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin. Të marra së bashku, këto përpjekje mund të forcojnë kapacitetin dhe vullnetin e qeverive partnere për të luftuar korrupsionin dhe për të mbështetur shoqërinë civile dhe të tjerët të përfshirë në avokim dhe veprim. Për të mbrojtur dollarët e ndihmës nga mbështetja e padashur e aktorëve të korruptuar, Shtetet e Bashkuara do të përmirësojnë proceset e menaxhimit të rrezikut dhe do të kuptojnë më mirë dinamikat lokale politike, ekonomike dhe sociale”, thuhet në shkrimin e publikuar nga ambasadorja Kim.