Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur ditën e sotme fajtor Skënder Krasniqin, i cili vrau djalin e tij, Albert Krasniqi.
Bëhet me dije se nëpërmjet një njoftimi, gjykata ka shpallur fajtor Skënder Krasniqin për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Për Krasniqin është caktuar masa e sigurisë 3 vite e 5 muaj burg.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.K për veprën penale Vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”,-thuhet në njoftim.
Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më 27 janar të vitit 201, rreth orës 17:00. Ka qenë vetë Skënder Krasniqi ai i cili njoftoi policinë, duke thënë se kishte vrarë djalin e tij.
Arma e krimit ishte pa leje dhe ishte blerë nga ana e viktimës. Pas ngjarjes së rëndë babai që kishte kryer krimin ka qenë në një gjendje të rëndë emocionale.