Kryeministri Edi Rama është shpërblyer me çmimin “Vital Voices Global” nga Hilari Clinton, për strehimin e afganëve në Shqipëri. Rama ka sjellë në vëmendje edhe ftesën e Clinton për të tërhequr çmimin, ndërsa Rama tha se “nuk e kisha parë as në ëndërr”.
Pranimi i strehimit të afganëve në Shqipëri iu shpërblye me një çmim dhe shumë mirënjohje kryeministrit Edi Rama, teksa u vlerësua personalisht në SHBA nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton me çmimin “Vital Voices Global”. Në fjalën e saj Clinton tha se përveç pritjes së afganëve, Rama shënoi një rekord hstorik për emërimin e grave në kabinetin e tij. “Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e kryesisht, grave në nevojë dhe falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri. Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet. Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik, duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra”, u shpreh Clinton.
Ftesa e Clinton
Nga ceremonia, kreu i qeverisë tha se ndihej i nderuar që ka marrë këtë vlerësim nga Hilary Clinton, teksa nuk ka kursyer as disa batuta. “Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. Pastaj, ai – se ishte një “ai”, meqë ra fjala – më tregon për Vital Voice e gjithë të tjerat dhe unë i them: “Në rregull, eja ta bëjmë”. “Si?”, thotë”, tha Rama.
Mikëpritja shqiptare
Si rrallë herë, vlerësimit kryeministri iu përgjigj me modesti, ndërsa publikut amerikan i tregoi për mikpritjen shqiptare. “Ka shumë histori si kjo po e gjitha vjen nga shumë kohë më parë, kur shqiptarët shkruan kushtetutën e tyre të parë. Paragrafi kyç i kushtetutës sonë të parë thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Nënvizoj, fjala “mik” në atë paragraf nuk nënkupton vetëm atë që fton, por edhe të që të troket e shfaqet në derë i paftuar dhe ajo trokitje është detyrimi që ke ndaj Zotit për ta hapur derën e për t’iu gjendur atij që troket. Kur ishim mbledhur në qershor në një takim të vendeve anëtare të NATO-s dhe po flitej për tërheqjen nga Afganistani, unë përmenda edhe nevojën për t’u marrë me çështjen e “tradhtarëve”. “Tradhtarët”, siç na mëson historia jonë mjaft e hidhur e diktaturës, janë ata që pasi instalohet një regjim shikohen si bashkëpunëtorët e armikut dhe, në këtë rast, “tradhtarët” ishin të gjithë ata afganë, burra e gra, që na u gjendën ne, që punuan me ne, që mbuluan kaq shumë shërbime për vendet e NATO-s”, tha Rama. Ai nënvizoi se ishin ata që u rreshtuan në vijën e parë të ndryshimit, pasi besuan në ato që u thamë ne, që ishim aty për ta bërë një vend ndryshe Afganistanin. “Ata na besuan, u rreshtuan krah nesh dhe befas, pas njëzet vjetësh, ne ikëm. Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por gjithësesi, m’u duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz. Për qeverisjen me gratë Rama shpjegoi se ishte frymëzuar nga ish-kryeministrja angleze Margaret Thetçer. “E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj. Ndoshta sepse ishte vetë aty sa për çdo grua tjetër, por mua nuk më dilte hesapi ashtu, kështu që m’u desh të zgjidhja shumë gra për të bërë punën dhe jo sepse jam i veçantë”, shtoi kreu i qeverisë. Duke falenderuar Clinton për çmimin, Rama i kujtoi publikut amerikan kontributin e madh që familja e ish-presidentit ka në luftën e Kosovës dhe jo vetëm.
Afganët
Kryeministri Edi Rama tha se vetë shqiptarët kanë qenë vetë afganë në 30 vitet e fundit. Ai ka kujtuar se Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që u shpall ateist duke djegur kisha dhe xhami si dhe librat fetarë. “Nga ana tjetër, ne ishim afganët e 30 vjetëve më parë, kur na u desh t’i shpëtonim një regjimi mizor. I cili nuk ishte fondamentalist islamik, po ishte fondamentalist ateist. Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që e kishte të shkruar në Kushtetutë se ishte një republikë ateiste dhe, njësoj si talebanët, ata hodhën në erë me dinamit, jo statujat e Budës, por 2453 kisha e xhami dhe dogjën rrugëve 300 000 vepra arti fetar dhe libra të shenjtë. Ishim Koreja e Veriut e Evropës dhe ne afganët që largoheshim nga vendi me anije. Kur m’u desh të bëja publik vendimin për të pritur afganët, postova një foto të afganëve në avion – në atë avionin e çmendur që iku nga Kabuli ding me njerëz – dhe të shqiptarëve në anije 30 vjet më parë. E njëjta pamje, të njëjtët njerëz, vetëm kombe të ndryshme në mjete lëvizëse të ndryshme. Jam shumë krenar t’ju them se asnjë parti politike shqiptare nuk i tha “jo” pritjes së këtyre njerëzve dhe opinioni ynë publik ishte shumë në mbështetje të mikpritjes së tyre. Por po ashtu mendoj, se duhej ta bënim edhe si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ata duhet ta dinë se, në këtë jetë, ka një kohë kur merr dhe ka një kohë kur jep. Atëherë, ishim ne që morëm, tani ishte radha jonë të japim”, u shpreh Rama.
Hebrenjtë
Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek strehimi i hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka pranuar më shumë hebrenjë. “Përpara sesa të mbërrinte Sekretarja Klinton, “hija” që e ndjek pas, hije fort e bukur, meqë ra fjala – Huma Abedin, më takoi dhe më tha “ti je hero”. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla nga një grua aq e mrekullueshme, por unë nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin. E meqë po flasim për heronj, dua ta vë diskutimin në kornizën e duhur, duke ju thënë se heronjtë ishin të tjerë. Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në nisje të saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Pati shumë heronj ajo kohë. Njëri prej tyre quhej Mustafa Rezniku i cili është nderuar po ashtu nga shteti i Izraelit si i drejtë mes kombeve. Ai shpëtoi 42 familje hebreje, por veprimtaria e tij e fshehjes së hebrenjve në fshatra të ndryshme përreth vendbanimit të tij, u spiunua tek nazistët dhe kur ata shkuan tek ai e i kërkuan të dorëzonte hebrenjtë, ai u dorëzoi dy djemtë e tij. Të cilët përfunduan në Mathausen. Por nuk i dorëzoi hebrenjtë!”, tha kryeministri Edi Rama.