Pas 31 vjetësh, politikanët e djathtë thërrasin ende për Liri dhe Demokraci, por si në asnjë përvjetor tjetër, PD është ndarë në dy kampe. Berisha zgjodhi Qytetin Studenti, ndërsa Basha i mblodhi demokratët tek “Turbina”, duke matur forcat me njëri-tjetrin dhe lëshuar akuza të ndërsjellta.
Ish-lideri demokrat Sali Berisha më 8 Dhjetor 1990, Ditën e Rinisë, hipi në podiumin e Qytetit Studentit për shpalljen e pluralizmit dhe vendimin e studentëve për themelimin e Partisë Demokratike. Ai foli para 31 vitesh për demokratizimin e Shqipërisë. Sot pas tre dekadash ish kryeministri Berisha, po nga i njëjti vend, kërkon demokratizimin e Partisë Demokratike. I shoqëruar edhe nga djali i vogël i Azem Hajdarit, ish lideri i demokratëve e ka quajtur Lulzim Bashën, Lulzim Boshi. Kjo forcë politike, e dyta në vend, është më përçarë se kurrë nën ditën e saj më simbolike për bashkim dhe demokraci. Dy liderat kanë zhvilluar dje agjenda të ndryshme duke përçarë jo vetëm ata, por edhe demokratët që i ndjekin. Sali Berisha zgjodhi të kujtonte Azem Hajdarin ku tha se rithemelimi i Partisë Demokratike do të jetë 11 dhjetori, ndërsa Lulzim Basha zgjodhi sallën e teatrit “Turbina” për të mbledhur mbështetësit e tij. Ai ka kërkuar falje ndaj të gjithë shqiptarëve për atë pjesë të përgjegjësisë “që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në shumë aspekte në dimensoinin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë”. Ai u zotua se PD-ja do të qëndrojë gjithmonë e bashkuar.
Berisha
Sali Berisha nga Qyteti Studenti ka akuzuar sërish kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe e ka atë bërë përgjegjës “për humbjet një pas një të PD” në zgjedhje. “Në këto 8 vite, PD, demokratët dhe demokratet në mbarë Shqipërinë derdhën lumenj djerse, sakrificash, por mjerisht ata kaluan nga një humbje në humbjen tjetër. Absolutisht jo për shkak të tyre por krejtësisht për shkak të njeriut që pas 8 vitesh meriton të quhet as më pak e as më shumë se “Lulzim Boshi” apo peng kryetari”, u shpreh Berisha. Azem Hajdarit, djali i vogël liderit të lëvizjes studentore të vitit ’90, Azem Hajdari, u shfaq në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha, në ceremoninë e mbajtur në përkujtim të “8 Dhjetorit”, Ditës së Rinisë. ”Nuk mendoja se do të vinte kjo ditë të mblidheshim sot kështu, mendoja se ishte diçka e shkuar, por kur shikon kur kombi jot është në një situatë të keqe në aspektin e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit, kjo ditë do të vinte. Ishalla shpresoj që kjo ditë të jetë frymëzim për të gjithë dhe t’a kthejmë Shqipërinë në mënyrën më të mirë, në formën më të mirë dhe t’i shmangim të gjithë njerëzit janë në dëmin e këtij vendi”, tha Azem Hajdari.
Basha
Kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se Lëvizja Studentore e vitit 1990 arriti të rrëzojë komunizmin, por jo të zhbëje mentalitetin komunist. “Nuk dua të zgjatem, dua të ndalem vetëm në një episod që më ka ngelur në mendje. Një vajzë më kujtohet që i kthehet Adil Çarçanit dhe i thotë nuk dua të lind më fëmijë për partinë tuaj. Është një thirrje që këtë e ndjejnë shumë nëna. Kjo është një thirrje ndaj Adil Çarçanit”, tha Basha duke thumbur Berishën dhe Ramën. Ai ka këkruar falje pasi nuk arritën dot që të zhduknin mentalitetin komunist. “ Përgjegjësi kryesor është regjimi që ka vrarë zgjedhjet, vrau votën e lirë. E dimë se detyra kryesore është të përballemi me këtë regjim. Nuk ka më kohë për mua dhe brezin tim se do ishte një mëkat i pashlyeshëm ndaj të rinjve të sotëm që të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona. Fakti që shkulëm komunizmin dhe jo mentalitetin komunist”, tha Lulzim Basha.
Ambasada Amerikane: Krenarë që i
qëndrojmë në krahë popullit shqiptarë
Ambasada amerikane ka uruar të rinjtë shqiptarë për 8 Dhjetorin. Ambasada me një postim në rrjete sociale, shkruan se kjo ditë është në nderim të studentë që protestuan 31 vite më parë kundër një prej regjimeve më mizore të Europës. Në postim shkruhet se SHBA është krenare që ka qëndruar në krah të popullit shqiptar që atëherë do të vijojë të qëndrojë krah saj dhe në të ardhmen. “Nderojmë studentët guximtarë të cilët 31 vjet më parë protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirie fetare dhe lirie të fjalës. Ata kërkuan një Shqipëri “si gjithë Europa”. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen”, shkruhet në faqen e ambasadës amerikane.
Meta: Iiri-demokraci jo më vonë, por tani
Presidenti Ilir Meta me rastin e Ditës së Rinisë, ishte në Qytetin Studenti ku kreu homazhe tek bustin e Heroit të Demokracisë dhe Liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari. Në një komunikim me median, Meta i bëri dhe një thirrje rinisë që të marrin në dorë fatet e vendit. “Për gjithë studentët ne presim shumë prej tyre edhe ata duhet të marrin në dorë udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri sepse guximi i tyre e përgjegjshmëria për të ardhmen janë të pazëvendësueshme e do kenë mbështetjen time në çdo kohë. Me rëndësi është liria, demkracia, pluralizmi politik të kthehen në shina të qëndrueshme së bashku me të ardhmen evropiane e vota e lirë gjithëpërfshirja mbeten vendimtare në këtë proces, e në fund fare “liri demokraci jo më vonë por tani”, u shpreh Presidendi Ilir Meta.
Marku: Kur nuk je dakord me liderin, je armik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku, në Ditën e Rinisë ka folur për lëvizjen e studentëve të vitit 1990 dhe rrëzimin e regjimit komunist. Në aktivitetin e Lulzim Bashës, Marku e ka lidhur këtë lëvizje me misionin e PD-së ku nuk i ka kursyer dhe kritikat ndaj partisë. Duke iu referuar dhe situatës brenda partisë, ish-deputeti thotë se PD duhet që të largojë frymën komuniste brenda vetes së saj. “Interesi im është të rri larg PD-së, por është pasion. Pavarësisht përfshirjes në politikë, është gjëja që ka lindur pas valës së dhjetorit. PD i përkujton shumë heronjtë e dhjetorit, por i ka vrarë. Nuk duhet të na trajtojnë si heronj, pasi Azem Hajdarin e vranë. Duhet që frymën e dhjetorit ta kishte implementuar në vetvete. Në momentin që ti nuk je dakord me liderin ti je armik. Të largojmë frymën komuniste dhe mënyrën e të menduarit komunist”, tha Marku.