Një seri tornadosh të fuqishme në Kentucky kanë shkaktuar më shumë se 80 të vdekur, tha sot guvernatori i shtetit amerikan. Të tjera vdekje janë raportuar në zonat qendrore e perëndimore të SHBA.
Governatori Andy Beshear tha për mediat vendase se numri i viktimave mund të arrijë deri në 100, pasi tornado i fuqishëm ka rrafshuar tërësisht një fabrikë në qytezën e Mayfield, me dhjetra punonjës brenda saj në kohën e goditjes.
Beshear përshkruante mbrëmjen e të premtes si “një nga më të rëndat në historinë e Kentucky,” teksa shtonte se “shumë zona janë goditur aq rëndë sa është e vështirë të përshkruhet me fjalë.”
Autoritetet lokale thonin se stuhitë e natës së të premtes mund të ishin më vrasëse e shkatërrimtare sesa tornado i viti 1974 që vrau 71 njerëz.
Beshear shpalli gjendjen e emergjencës duke kërkuar që Garda Kombëtare të ndihmojë me pasojat e katastrofës dhe që qeveria federale të shpallë gjendjen e emergjencës.
Në një nga zonat më të goditura Graves County, tornado shkatërroi gjykatën lokale dhe burgun pranë saj.

Autoritetet thanë se kishin dërguar “dy konteinerë gjigantë me ujë” për të siguruar ujin e pijshëm në zonë.
Shkatërrimet në Kentucky u shkaktuan nga disa prej 24 tornadove që u raportuan në të paktën pesë shtete amerikane – Arkansas, Illinois, Kentucky, Missouri e Tennessee.
Stuhitë pritet të vazhdojnë në fundjavë me drejtim nga lindja, duke përfshirë mundësisht qytete si Nashville, Memphis, e Shreveport.