Ministria e Mbrojtjes jep të dhëna për situatën në vend të krijuar nga reshjet e shiut dhe të borës. Sipas Ministrisë, intensiteti i reshjeve është shtuar shumë 24 orët e fundit.
Shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras. Prej orëve të para në zonë janë angazhuar mbi 75 efektivë të FA dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të emergjencave civile në Vlorë e Fier.
Vijon puna në terren për të pastruar nga uji disa rrugë në bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë. Punonjësit e Autoritetit Rrugor po vijojnë punën prej dy ditësh për të garantuar qarkullimin e lirë.
Me prioritet po ndiqet situata e krijuar si pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funksionit urën e fshatit Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë Himarë.
Si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë Qafë Thorë dhe Peshkopi- Lurë. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor ndodhen në terren për të garantuar vijimin e furnizimit normal me ujë, energji të qytetareve në të gjithë vendin. Forcat e Armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për çdo nevojë.