Sali Berisha është i përjashtuar përkohësisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por Lulzim Basha paralajmëroi përjashtimin total të Sali Berishës nga Partia Demokratike dhe vendimi mund të merret në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që kreu i PD-së e ka thirrur më 18 dhjetor.
“Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund. Në këtë betejë me SHBA-në, PD theu për herë të parë standardin e vendosur dhe i kërkoj ndjesë shqiptarëve. U mjaftova me pezullimin e Berishës nga partia, e bëra në një moment paqartësie me veten time. Por, sot nuk ka demokrat që nuk është i qartë. Në kulmin e dëshpërimit, Berisha ndërmori një akt që u kujtoi shqiptarëve skena të harruara nga pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale, që fatkeqësisht na faturohet edhe neve. Asnjë demokrat, asnjë anëtar i Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet në 18 dhjetor, nuk do t’i nënshtrohet presioneve”, tha ai.