Parlamenti i Bullgarisë ka konfirmuar Kiril Petkovin në postin e kryeministrit, pasi partia e tij kundër korrupsionit, “Ne vazhdojmë ndryshimin”, arriti marrëveshje koalicioni me tri fraksione të tjera.
Kjo është qeveria e parë e rregullt që prej se qeveria e kryeministrit, Boyko Borisov u rrëzua në prill, për shkak të zemërimit të publikut lidhur me korrupsionin. ‘Ne vazhdojmë ndryshimin’ fitoi në zgjedhjet e mbajtura në nëntor, por dështoi që të siguronte shumicën. Kjo parti, më 10 dhjetor arriti marrëveshje koalicioni me Partinë Socialiste, me partinë ‘Ka një popull të tillë’ dhe me ‘Demokratët e Bullgarisë’, një parti liberale kundër korrupsionit.
Më 11 dhjetor, presidenti bullgar, Rumen Radev, e mandatoi Petkovin për të formuar Qeverinë e re. Petkov më pas prezantoi emrat e Qeverisë së tij dhe njoftoi se motoja e Qeverisë do të jetë “zero tolerancë kundër korrupsionit”.